Kreu i qeverisë, Edi Rama ashtu si dhe është planifikuar, ditën e nesërme do të vizitojë Athinën.
Jo për një vizitë zyrtare e për të takuar homologun e tij grek, Kyriakos Mitsotakis, por për të mbajtur një takim me mijëra shqiptarë të cilët prej vitesh punojnë dhe jetojnë në tokën greke.
Burime për mediat bëjnë me dije se kryeministri Rama do të jetë i shoqëruar nga rreth 150 persona, ministrat e kabinetit si dhe deputetë socialistë.
Gjithashtu kreu i qeverisë shqiptare do të jetë i shoqëruar edhe nga disa prej kryebashkiakëve socialistë. Mësohet se disa kanë shkuar që ditën e sotme dhe një prej tyre është dhe kryebashkiaku i Gjirokastrës Flamur Golemi.
Përveç figurave politike në këtë takim të Ramës në Athinë nuk do të mungojnë as artistët. Një prej tyre është dhe Rigels Rajku, i njohur si Noizy. Reperi shqiptar i cili është një emër mjaft i njohur për industrinë e muzikës në vendin tonë, dhe jo vetëm, do të performojë ditën e nesërme për emigrantët shqiptarë. Ndërsa, pritet edhe pjesëmarrja e këngëtares së njohur Era Rusi.
Sipas axhendës, kryeministri Rama do të mbajë fjalën e tij rreth orës 11:00 në stadiumin Galatsit, salla “Christmas Theatre”.
Më pas gjatë ditës, Rama do të mbajë takime me bashkëatdhetarë, anëtarë të partisë së tij dhe biznesmenë. Pas përfundimit të takimeve, Rama do të pijë kafe me kolegët në Galatsi, ndërsa në orën 18:00-19:00 do të shkojë në aeroport për t’u larguar nga Athina.
Më herët raportuam se qeveria greke ka vënë në dispozicion të kryeministrit Rama një autoveturë tip “BMW” të blinduar dhe forca të shtuara sigurie.
Kujtojmë se mëngjesin e ditës së djeshme Edi Rama u bëri thirrje të gjithë shqiptarëve në Greqi që në datën 12 maj, ora 11:00 të marrin pjesë në stadiumin Galatsit, salla “Christmas Theatre”.
Ky tubim është quajtur si provokim nga pala greke, pasi përkon pikërisht me ditën e arrestimit të kryebashkiakut të zgjedhur të Himarës, Fredi Beleri, i cili tashmë bën një vit në qeli.
Ministria e Jashtme greke i kërkoi Ramës që për shkak se janë në fazë parazgjedhore, i kërkuan atij që të shtynte vizitën për në qershor. Gjë që nuk është pranuar nga Rama.
Ndërkohë më herët kryeministri Rama përmes një postimi në “X” sqaroi se vizita e tij nuk ka lidhje me çështjet e brendshme të Greqisë, zgjedhjet e Parlamentit Evropian në Greqi, apo ndonjë narrativë specifike që mund të zgjojë interesin e politikanëve grekë.