21 nëntor 2015 – Madridi në gadishmëri të lartë për El Clasicon ndërmjet Realit dhe Barcelonës. Mbarëvajtja e sfidës së pritur në mbarë botën do të sigurohet nga 1000 policë dhe 1500 agjentë privatë.
Autoritetet kanë bërë thirrje të vazhdueshme qetësie, megjithatë për të evituar rreziqe të mundshme terroriste forcat e sigurisë do të krijojnë tre kordone me kontrolle.Për të bërë të mundur që të gjithë të kontrollohen me imtësi, por mbi të gjitha për të evituar kaosin në portat hyrëse të stadiumit, tifozët do të nisin të mbushin tribunat prej orës 16 e 15 minuta, dy orë përpara startit të ndeshjes.Masat e sigurisë të marra për duelin ndërmjet Realit të Madridit dhe Barcelonës janë të paprecedenta.
Sekretari i Shtetit për Sigurinë në Spanjë, Francisco Martinez Vazquez sqaroi se El Clasico do të jetë i blinduar për faktin se ka një impakt mjaft të madh mediatik dhe është shumë i ndjekur edhe në nivel ndërkombëtar dhe kjo e bën të klasifikohet si një ndeshje me rrezikshmëri të lartë. Në mitikun Santiago Bernabeu nuk do të mungojë edhe kujtimi për viktimat e sulmeve në Paris, me disa çaste të dedikuara për himnin francez, në një duel i cili do të mbajë përpara televizorit plot 600 milionë tifozë në mbarë botën.
/portali DurresLajm/