Itali, 10 prill 2014 – Tetë gjykatës italianë (dy profesionistë dhe gjashtë të zgjedhur nga populli) do gjykojnë sot një çështje të vështirë dhe të rrezikshme në Gjjkatën e Teramos. Trupi gjykues do të gjykojë vrasjen me dy plumba të shqiptarit Leven Ferraj në vitin 2012 nga i dyshuari Përparim Hyseni, 25 vjeç, i cili mbeti i plagosur në shkëmbimin e zjarrit me të ndjerin Ferraj. Si viktima dhe i dyshuari për vrasjen kanë precedentë penalë për plagosje, armëmbajtje pa leje dhe për trafik droge, si në rastin e vitit 2009 në qytetin e San Benedeto Del Trontos, ku Leven Ferraj u arrestua me 200 gramë kokainë të pastër.

Karabinierët, policia speciale DIGOS dhe agjentë të veshur civilë kanë blinduar Pallatin e Drejtësisë në Teramo, sepse i druhen një reagimi të pjesëtarëve të dy klaneve kundërshtare të shqiptarëve. Gjendja ndërlikohet edhe më shumë, sepse në të njëjtën orë, kur gjykohet shqiptari për vrasje, në një sallë tjetër do gjykohet edhe anarkistja e famshme Kiara Xenobi (Chiara Zenobi). Forcat e rendit i frikësohen trazirave dhe ndonjë tentative për arratisje.

/gje. th. agjencia e lajmeve “Dyrrah”/