Në një klimë frike nga sulmet terroriste, Roma është blinduar krejtësisht në vigjilje të Pashkëve.
Qindra mijëra turistë ndodhen në kryeqytetin italian, çka ka vënë në alarm autoritetet, duke i shtyrë të marrin masa të rrepta sigurie. Vendgrumbullimet për ceremoni fetare, kishat, muzetë, por edhe zyrat shtetërore e ambasadat janë mbushur me patrulla shtesë.
Njësi speciale me qen të stërvitur patrullojnë vazhdimisht në Kolose. Kryevepra kulturore është përfshirë shpeshherë në mesazhet kërcënuese të terroristëve. Pikërisht nga Koloseu, Papa Françesku me rastin e “Udhës së Kryqit”, dënoi me forcë ata që kryejnë akte mizore dhe derdhin përditë gjakun e të pafajshmëve.
Ajo që shqetëson shërbimet inteligjente italiane është një sulm i mundshëm ndaj objekteve të kultit në shenjë hakmarrjeje për bombardimet ndaj ISIS, sikurse ndodhi në Londër, Stokolm apo Dortmund ndaj skuadrës së futbollit të Borussias së Dortmundit.