Drejtoria për Kufirin dhe Migracionin ka ndërmarrë një plan masash në të gjitha pikat kufitare, me qëllim përballimin e fluksit në hyrje-dalje në Aeroportin e Rinasit, por edhe në porte. 

Veç përballimit të fluksit të emigrantëve që udhëtojnë brenda dhe jashtë vendit me rastin e festave të fundvitit, një rëndësi e veçantë i është kushtuar edhe masave për parandalimin dhe goditjen e paligjshmërisë.

Kjo pasi vit pas viti, kryesisht nga Aeroporti i Rinasit ka pasur një numër të lartë personash të cilët nëpërmjet dokumenteve të falsifikuara, tentojnë të largohen ilegalisht drejt vendeve të BE-së.

Vetëm në këtë vit, policia e Rinasit ka mundur të parandalojë rreth 300 persona të cilët kanë tentuar të largohen në mënyrë ilegale, duke u proceduar më pas për kalim të paligjshëm të kufirit apo edhe për falsifikim të dokumentave.

Pas kontrolleve të imtësishme të kryer ndaj këtyre personave është zbuluar se dokumentet e falsifikuara fshiheshin në pjesë të ndryshme të trupit, si në atlete e veshmbathje.