Kërcënimet nga SHBA për të sanksionuar zyrtarët gjeorgjianë që propozojnë një ligj për ‘agjentët e huaj’ janë “komike dhe të paprecedenta”, tha të premten një anëtar i lartë i partisë në pushtet në Gjeorgji.
Sekretari amerikan i Shtetit Antony Blinken paralajmëroi të enjten se Uashingtoni do të vendosë kufizime vizash për “individët që janë përgjegjës ose bashkëpunëtorë në minimin e demokracisë në Gjeorgji, si dhe anëtarët e familjeve të tyre”.
Ai i referohej projektligjit që kërkon që OJQ-të të regjistrohen si agjentë të huaj nëse marrin mbi 20% të financimit të tyre nga jashtë.
Mamuka Mdinaradze, i cili drejton partinë Ëndrra Gjeorgjiane në parlament, kritikoi kundërshtimin perëndimor ndaj projektligjit në një postim në mediat sociale.
Ai tha se kjo ishte “hipokrizi”, duke pasur parasysh se SHBA dhe aleatët e saj po shqyrtonin ose tashmë kanë ligje të ngjashme në fuqi sipas tij.
“Kërcënimi i kufizimeve të vizave përbën shantazh”, tha Mdinaradze.
“Është e paprecedentë dhe në të njëjtën kohë komike të sanksionosh një ligjvënës të zgjedhur nga populli për miratimin e një ligji sipas gjykimit të tij,” shtoi ai.