Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken, do të udhëtojë në Izrael si pjesë e shtytjes diplomatike të Uashingtonit për të arritur një armëpushim në Gazë që do t’i japë fund luftës 10-mujore, edhe pse një zyrtar i lartë i Hamasit hodhi poshtë optimizmin për një marrëveshje si “një iluzion”.

Bëhet e ditur se udhëtimi i nëntë i diplomatit të lartë amerikan në rajon që nga fillimi i luftës në tetor të vitit të kaluar vjen disa ditë pasi SHBA-ja paraqiti propozime tejkaluese që ajo dhe ndërmjetësit Katari dhe Egjipti besojnë se do të mbyllnin boshllëqet midis palëve ndërluftuese.

Zyrtarët amerikanë kanë përmendur një optimizëm të ri për ta çuar marrëveshjen në vijën e fundit, por edhe kujdesin se ka ende punë për të bërë.

“Ne mendojmë se në thelb është një marrëveshje që tani është gati për t’u mbyllur dhe zbatuar dhe për të ecur përpara”, tha një zyrtar i lartë i administratës së presidentit amerikan, Joe Biden.

Megjithatë, anëtari i byrosë politike të Hamasit, Sami Abu Zuhri, tha: “Të thuash se po i afrohemi një marrëveshjeje është një iluzion”.

“Ne nuk po përballemi me një marrëveshje apo negociata reale, por me imponim të diktateve amerikane”, shtoi ai. Në Izrael, Blinken pritet të takohet me kryeministrin izraelit, Benjamin Netanyahu, dhe zyrtarë të tjerë të lartë.

Negociatat po zhvillohen nën hijen e një përshkallëzimi të frikshëm rajonal, shkruan the Guardian. Kjo pasi Irani ka kërcënuar se do të hakmerret kundër Izraelit pas vrasjes së liderit të Hamasit, Ismail Haniyeh, në Teheran më 31 korrik.

Uashingtoni e ka paralajmëruar vazhdimisht Iranin që të mos vazhdojë me asnjë veprim hakmarrës kundër Izraelit. Zyrtari amerikan tha se një akt i tillë mund të ketë pasoja “kataklizmike”, veçanërisht për Iranin.

Ndërkohë, Ministrat e Jashtëm të Britanisë së Madhe, Francës, Gjermanisë dhe Italisë në një deklaratë të përbashkët u kërkuan të gjitha palëve që të shmangin çdo “aksion përshkallëzues”.

Bisedimet mbi mënyrën e zbatimit të marrëveshjes pritet të vazhdojnë në fillim të javës së ardhshme, përpara se zyrtarët e lartë të mblidhen sërish në Kajro, me synimin për të përfunduar marrëveshjen.

Siç raportohet, ekipi negociator i Izraelit në takimin e fundit shprehu “optimizëm” për mundësinë e avancimit të një marrëveshjeje, sipas një deklarate nga zyra e Netanyahut.

Por, edhe pse shpresat u rritën për një armëpushim, Izraeli vazhdoi sulmin e tij vdekjeprurës në Gazë.

Të paktën 18 palestinezë nga e njëjta familje u vranë dhe dhjetëra u plagosën më 17 korrik në një sulm izraelit në qytetin Zawayda të Gazës, ndërsa Izraeli lëshoi ​​urdhra të reja evakuimi, duke përmendur raketat e Hamasit.

Izraeli gjithashtu kreu një sulm edhe në Liban që vrau 10 njerëz, , sipas Ministrisë së Shëndetësisë të vendit.

Sulmi erdhi pavarësisht një paralajmërimi nga Bideni se “askush në rajon nuk duhet të ndërmarrë veprime për të minuar procesin e armëpushimit dhe marrëveshjes së pengjeve”.