Sekretari amerikan i shtetit, Antony Blinken me anë të një letre ka ururar Kosovën për pavarësinë e saj. Blinken, në emër të SHBA, shpreh besimin se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe në institucionet euroatlantike.

Duke shprehur mbështetje për aspiratat e Kosovës, Blinken mirëpret angazhimin e saj në mbështetje të Ukrainës kundër agresionit brutal të Rusisë.

Sekretari e cilëson Kosovën vend mik, aleat dhe partner duke uruar për një vit të qetë dhe të begatë përpara.

Letra e Antony Blinken:

“Shtetet e Bashkuara besojnë se e ardhmja e Kosovës është në Evropë dhe në institucionet euroatlantike. Ne mbështesim aspiratat e përcaktuara në deklaratën tuaj të pavarësisë dhe kushtetutës për të “kontribuuar në stabilitetin e rajonit dhe të gjithë Evropës duke krijuar marrëdhënie të fqinjësisë së mirë dhe bashkëpunimi”, ka shkruar Blinken.

“Ne mirëpresim mbështetjen e palëkundur të Kosovës për Ukrainën kundër luftës brutale dhe të padrejtë të Rusisë dhe jemi mirënjohës për ndihmën bujare të Kosovës për gazetarët dhe të tjerët që kërkuan strehim në vendin tuaj. Mezi pres të thellojmë partneritetin tonë në forcimin e demokracisë dhe krijimin e kushteve që Kosova dhe të gjithë qytetarët e saj të prosperojnë në një botë më të sigurt, më stabile dhe më të begatë”, thuhet në letrën e Sekretarit Blinken.

“Urime sërish mikut, partnerit dhe aleatit tonë përvjetorin e Ditës së Pavarësisë së Kosovës. Paç një vit të qetë dhe të begatë përpara”, ka përfunduar Blinken.