Pasi deputeti i Partisë Socialiste, Alqi Bllako dorëzoi me postë letrën për lënien e mandatit të deputetit, Kuvendi ka njoftuar se mbledhja për të shqyrtuar kërkesën e SPAK për arrestimin e tij, nuk do të zhvillohet.
Në një njoftim zyrtar Kuvendi njofton se për shkak të dorëzimit të mandatit nga ana e Bllakos, Kuvendi nuk mund të vazhdojë procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit për arrestimin e tij.
Njoftimi i Kuvendit:
Në mbështetje të Urdhërit nr. 24, datë 30.03.2022, të Kryetares së Kuvendit, znj. Lindita Nikolla “Për anullimin e mbledhjes së Këshillit për Rregulloren, Mandatet dhe Imunitetin”, mbledhja e Këshillit nuk do të zhvillohet.
Deputeti Alqi Bllako ka depozituar në Kuvend deklaratën për heqjen dore nga mandati i deputetit me vullnet të dhe për rrjedhojë Kuvendi nuk mund të vazhdojë procedurat për shqyrtimin e kërkesës së Prokurorisë së Posaçme Kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar për dhënien e autorizimit për arrestimin e deputetit Alqi Bllako.