Ministri i Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, Bledi Çuçi, ka reaguar në lidhje me bllokimin e sasisë prej 41.7 tonë banane sot në pikën Doganore në Durrës, ngarkesë kjo që kishte ardhur nga Costa Rica.
Sipas njoftimit nga AKU, bllokimi është bërë për shkak se produkti rezultoi me probleme për konsum njerëzor – produkti i prishur.
Çuçi thotë se do të ketë zero tolerancë ndaj kujtdo që abuzon me cilësinë e produkteve që ne konsumojmë.
“Kur vjen fjala te siguria ushqimore zbatimi i ligjit do të jetë pa kompromis”, shkruan ministri në faqen e tij.
REAGIMI I ÇUÇIT:
Kur vjen fjala tek siguria ushqimore zbatimi i ligjit do të jetë pa kompromis. Zero tolerancë ndaj kujtdo që abuzon me cilësinë e produkteve që ne konsumojmë. Vlerësoj aksionin e Autoritetit Kombëtar të Ushqimit në Durrës për bllokimin e 41.7 tonëve banane me probleme për konsum njerëzor. Inkurajoj të gjithë trupën e inspektorëve të AKU-së kudo në Shqipëri të tregohen vigjilentë ndaj çdo rasti dhe të zbatojnë ligjin me rigorozitet. Po kështu ftoj qytetarët të jenë bashkëpunes me AKU-në duke denoncuar rastet e produkteve të papërshtatshme për konsum. Le të jemi të ndërgjegjshëm se siguria ushqimore është një sfidë e përbashkët. Krahas punës së AKU-së dhe institucioneve të tjera, kontributi i qytetarëve është i domosdoshëm për të patur në tregjet tona produkte cilësore. Siguria ushqimore është një komponent i rëndësishëm i sigurisë kombëtare, prandaj ne do të bëjmë çdo përpjekje që shqiptarët të konsumojnë produkte me standarde.





