Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha ka reaguar përmes një videomesazhi të publikuar në rrjetet sociale, lidhur me bllokimin e segmentit rrugor Librazhd-Përrenjas gjatë kësaj të shtune.

Rrugën nuk e shembi moti, por e shembi korrupsioni“, shkruan kryedemokrati krahas videos.

Kreu i opozitës hodhi poshtë pretendimet se dëmtimi i rrugës është shkaktuar nga kushtet atmosferike, duke e lidhur situatën me ndërhyrje të paligjshme në shtratin e lumit.

“Sot tërë ditën i gjithë juglindja e vendit, e gjithë juglindja e vendit është e bllokuar. Qindra e qindra pasagjerë kanë kaluar këtë ditë në makinat e tyre të bllokuara në segmentin e rrugës Dragostunjë-Prrenjas. Ky bllokim është vepër totale e paligjshmërisë dhe korrupsionit, papërgjegjshmërisë së dy ministreve, Belinda Ballukut dhe Mirela Kumbaros, të cilat kanë lejuar të ndërhyhet në lum pa modelin e studiuar të domosdoshëm dhe ndërhyrja në lum jo vetëm që ka shkatërruar shtratin e lumit, por ka shkatërruar dhe mbështetjen për rrugën ekzistuese dhe shembjen e saj sot”, ka deklaruar Berisha.

Ky reagim vjen pasi mesditën e sotme ARRSH njoftoi se kishte ndaluar qarkullimin e të gjitha makinave në segmentin Librazhd-Pogradec, për arsye sigurie pas vlerësimit në terren të gjendjes në vendin e quajtur Arrat e Gurrës ku ka patur rrëshqitje dherash. Megjithatë, u caktua si rrugë alternative aksi Maliq-Lozhan-Moglicë-Elbasan dhe anasjelltas. Por vetëm për mjetet e vogla.

Pavarësisht kësaj, mjetet e tonazhit të rëndë u lejuan nga policia e Librazhdit të kalojnë dhe si pasojë ndodhi edhe bllokimi i rrugës alternative. Segmenti Librazhd-Pogradec kishte krijuar problematika prej disa ditësh për shkak të rrëshqitjes dhe çarjes së rrugës.