Forcat e armatosura iraniane kanë dërguar një mesazh të qartë ndaj Shteteve të Bashkuara, duke theksuar se nëse vihet në rrezik siguria e porteve iraniane, atëherë “asnjë port në Gjirin Persik dhe në Detin e Omanit nuk do të jetë i sigurt”, në një kohë kur tensionet për kontrollin e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit janë në rritje.

Kujtojmë se ushtria amerikane ka bërë të ditur synimin e saj për të ndërmarrë nga pasditja vendosjen e një bllokade ndaj porteve të Iranit, me urdhër të Trump, pas dështimit të bisedimeve të drejtpërdrejta mes dy shteteve në konflikt, për të cilin Uashingtoni dhe Teherani fajësojnë njëri-tjetrin.

Komanda e përbashkët e forcave të armatosura të Iranit deklaroi se portet në rajonin e Gjirit Persik dhe Detit të Omanit do të jenë “ose për të gjithë, ose për askënd”, duke nënvizuar se mbrojtja e të drejtave legjitime të vendit përbën “detyrë natyrore dhe të ligjshme”.

Sipas rrjetit shtetëror IRIB, Teherani e konsideron ushtrimin e sovranitetit në ujërat territoriale si një “të drejtë të patjetërsueshme të kombit iranian”.

Në deklaratë theksohet se Irani do të vazhdojë të garantojë sigurinë e lundrimit në Ngushticën e Hormuzit, por sqarohet se anijet që lidhen me “forca armiqësore” nuk do të kenë të drejtë kalimi.

Ndërkohë, lëvizja e anijeve të tjera do të lejohet me kusht që të respektojnë rregullat e vendosura nga autoritetet iraniane.

Forcat e armatosura iraniane akuzuan gjithashtu Shtetet e Bashkuara për “vendosje të paligjshme kufizimesh” në lundrim në ujërat ndërkombëtare, duke i cilësuar këto veprime si “pirateri”.

Sipas tyre, edhe pas përfundimit të armiqësive, Republika Islamike do të zbatojë një mekanizëm të përhershëm kontrolli në Ngushticën e Hormuzit, duke iu referuar kërcënimeve të vazhdueshme ndaj sigurisë kombëtare.