Porti lëshon pe: Jep OK për një vinç me aftësi ngritëse 60 tonë që përballon vetëm 30% të kapacitetit të terminalit
· Në shtator 2013 britanikët paralajmëronin për fiaskon e koncesionit “Kurum Holdings”, “si gabimin Nr. 1 nga pikëpamja e sigurimit të një operimi modern, efikas në përpunimin e kontejnerëve në Durrës për të mirën e Shqipërisë si një e tërë”
Nga Gjergj Thanasi, Thanas Mustaqi
DURRËS, 23 dhjetor 2013 – Situata e rëndë me kontejnerët e bllokuar në portin më të madh të vendit ka alarmuar kreun e Qeverisë Rama dhe ministrin e Transportit Haxhinasto, konfirmoi në mbrëmjen e 23 dhjetorit 2013, nr. 2 i APD sha, A. Qirici. Me sa duket, po realizohet, brenda tre muajve, profecia britanike se “historia ndoshta do të tregojë se dhënia e koncesionit të terminalit të kontejnerëve grupit “Kurum Holdings” si gabimin Nr. 1 nga pikëpamja e sigurimit të një operimi modern, efikas në përpunimin e kontejnerëve në Durrës për të mirën e Shqipërisë si një e tërë”, paralajmëronte në shtator 2013 e përmuajshmja britanike Port Strategynë artikullin me titullin “Fiasko në Durrës”. Sikurse njoftonte “Dyrrah”-u më 22 dhjetor 2013 në shkrimin “Durrës. KURUMI-i bllokon 837 kontejnerë të Vitit të Ri” (shih http://durreslajm.com/
KURUMI: FAJI I APD-SË, PORTI: PËRGJEGJËSI E KONCENSIONARIT
“Dyrrah”-u pyeti për këtë qëllim, në rrugë telefonike zëvendësdrejtorin e përgjithshëm ekzekutiv të kompanisë shtetërore APD sha, Artjan Qirici. Ja çfarë tha ai: “Subjektet tregtare, që kanë ardhur në APD, i kemi sqaruar se operimi në Terminalin e Kontejnerëve është kompetencë e koncesionarit turk, me të cilin kanë apo nuk kanë kontratë agjencitë detare dhe ato transportuese. Koncesionari ka marrë me qira dy vinçat Fantuzzi, me kapacitet ngritës 120 dhe 60 tonë në gjendje të mirë teknike. Një grup i posaçëm i APD-së dhe njësisë së Terminalit të Kontejnerëve pranë Ministrisë së Transportit dhe Infrastrukturës po ndjek nga afër riparimin e vinçave. Vinçit 60-tonësh, me gjithë defektet, i është dhënë OK-i për punën, por ai mund të përballojë vetëm 30 për qind të kapacitetit përpunues të terminalit. Situata është kritike. Kemi njoftuar kryeministrin Edi Rama dhe ministrin Edmond Haxhinasto. Vinçi 120 tonë ka pësuar dëmtime serioze për shkak të moskryerjes së shërbimeve dhe përdorimit joprofesional. Njësia APD+ministri Transporti po heton dhe ka vënë në dijeni zyrtarisht instancat përkatëse për këtë dëmtim. Kurse vinçi 150 tonë që solli Kurum-i nga Turqia, nuk plotëson parametrat e sigurisë teknike të kalatës”.
PROFECIA
“Historia ndoshta do të tregojë se dhënia e koncesionit të terminalit të kontejnerëve grupit “Kurum Holdings” si gabimin Nr. 1 nga pikëpamja e sigurimit të një operimi modern, efikas në përpunimin e kontejnerëve në Durrës për të mirën e Shqipërisë si një e tërë”, paralajmëronte në shtator 2013 e përmuajshmja britanike Port Strategy në artikullin me titullin “Fiasko në Durrës”. “Efektivisht ajo çka del nga një tender i hapur asnjëherë nuk është rrugë e mirë për të pasur një rezultat pozitiv në një koncesion terminali kontejnerësh, sidomos kur koncesioni i jepet një kompanie që është kompani, e cila nuk merret me biznes portual-detar (a company that is a non-port operating company)”, akuzon revista britanike Port Strategy. Ajo vë në dukje se “Banka Botërore ka qenë aktive në Durrës duke përgatitur një projekt për të përmirësuar efektivitetin dhe kapacitetin efektiv të portit. Kjo përfshin rritjen e orientimit të tij komercial me krijimin e një autoriteti autonom portual, privatizimin e operacioneve, përmirësimin e procedurave doganore, rehabilitimin e infrastrukturës dhe përmirësimin e operacioneve dhe të sigurisë. Koncesioni i terminalit të kontejnerëve rrodhi jashtë këtij procesi, por është e qartë, se nuk ka dhënë rezultatet e pritura. Pronarë anijesh dhe klientë të terminalit në përgjithësi nuk shohin ndonjë gjë të përmirësuar, teksa Kurum-i përpiqet të gjejë mënyrën e tij në përpunimin e kontejnerëve nëpërmjet një burimi të vetëm ‘punësimi emergjence’ (hired in help), në vend të bazës shumë më të gjerë të resurseve të një investuesi me përvojë”.
TIVARI, MUND T’I MARRË KAFSHATËN NGA GOJA DURRËSIT
Ndërkaq tërheq vëmendjen fakti i përmendur në këtë artikull: “në portin shqiptar të Durrësit një partner i parë dhe pastaj një partner i dytë operues u përballën me vështirësi gjatë punës me kompaninë, e cila nuk merret me biznes portual-detar, partneri i parë qysh para se të jepej koncesioni dhe partneri i dytë në prag të marrjes në dorëzim. Partneri i parë ishte kompania turke Global Investments Holdingdhe i dyti kompania malteze Hili Industries. Ata të dy gjetën partneritet me grupin turk Kurum Holdingsnë lidhje me koncesionin e terminalit të kontejnerëve në Durrës, një aktivitet tejet ‘hot’ për t’u trajtuar”, por “të dy investitorët në thelb e konsideruan partneritetin me Kurum-in si jofunksional”.
Të mos harrohet se “Global Investment Holdings”, aktualisht është operatori i tre porteve kryesore tregtare dhe kroçerave në Turqi. Dhe në nëntor 2013, ish-partneri i Kurum-it për terminalin e kontejnerëve të Durrësit, bashkatdhetari serioz “Global Investment Holdings”, ka blerë 62 për qind të portit malazez të Tivarit nëpërmjet një marrëveshjeje prej 30 milionë euro. Tivari përpunon aktualisht 40,000 kontejnerë në vit. Ky kapacitet mund të rritet në 1 milion, tha kompania turke, duke shtuar se planifikon të ndërtojë atje një qendër logjistike. Plani fillestar i “Global Investment Holdings” synon të thithë trafikun e Serbisë, Kosovës, Shqipërisë, Maqedonisë dhe Bullgarisë, thotë media botërore. Duke qenë se “Kurum Holdings” nuk ka haber nga biznesi portal-detar (a company that is a non-port operating company), bashkatdhetari i tij në Tivar do t’i marrë një pjesë të konsiderueshme të trafikut të kontejnerëve në Durrës. Kjo “përkthehet” me ulje të vëllimit të punës në port, ulje të të ardhurave si për transportuesit dhe operatotët e tjerë privatë në port, si dhe arkën e shtetit.
Info / Ja 5 anijet me 1105 TEU më 22-25 dhjetor 2013
Warnow Beluga 287 TEU 22/12/2013 ora1:5 Agjencia detare GALA
MSC Augusta 315 TEU 22/12/2013- Agjencia detare MSC
Vega Aquila 135 TEU 22/12/2013 ora 9:36 Agjencia detare Pelikan
Mirella 268 TEU 24/12/2013 Agjencia detare MSC
Medazov Rosa 100 TEU 25/12/2013 Agjencia detare Pelikan
/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/






