Kryetari i PD, Sali Berisha iu ka bërë thirrje qytetarëve në Tiranë që të ftojnë të afërmit të cilët i kanë në rrethe që më 5 dhjetor në banesat e tyre, në mënyrë që në datën 6 dhjetor të marrin pjesë në protestë edhe sikur të bllokohen rrugët.
Autoritetet do të bllokojnë disa akse rrugore në Tiranë për të garantuar sigurinë e samitit të BE me Ballkanin Perëndimor.
Por, kryedemokrati thotë se rrugët po bllokohen për të penguar demorkatët që janë në qytete të tjera që ti bashkohen protestës së 6 dhjetorit para Kryeministrisë.
Sali Berisha: Ju ftoj këto ditë që kanë mbetur të bëjmë gjithçka për praninë më masive që ka njohur Tirana. Meqënëse ky është i tmerruar nga kjo protestë dhe ka arsye se do ta nxjerrë ashtu siç është para liderëve europianë, ky mund të bëjë dhe bllokime rrugësh dhe mijëra e mijëra demokratë nga rrethet mund të kenë vështirësi që të vijnë ditën e protestës. Prandaj, ftoj ta shndërrojmë datën 5 Dhjetor, të hapim dyert tona për të gjithë miqtë, të afërmit, familjarët që i kemi në rrethet tjera, t’i ftojmë në Tiranë për të protestuar me datën 6 të gjithë së bashku.