Nga Gjergj Zefi
Segmenti Thumanë- Kashar, edhe pse mund të ketë çliruar në fillim golgotën 30 vjeçare të ’ecjes prej breshke’ nga Kamza në Milot, ka krijuar një hinkë edhe më të madhe, sidomos në zonën nga Miloti deri në Balldren.
Ku është edhe numri më i madh i lëvizjeve të vizitorëve që vijnë nga Kosova, por edhe nga Europa, përmes pikave të kalimit me Malin e Zi.
Hinka nga Miloti në Balldre është një torturë e tmerrshme për familjet që hyjnë dhe dalin nga kjo rrugë, që në rastin më të mirë zgjat 70 minuta, në rastin më të keq edhe dy orë.
E gjitha kjo është një tregues i standardeve të tmerrshme që qeveria aktuale ka përdorur për pjesën më vitale të vendit, si në popullsi, ashtu edhe në të ardhura, me qëllim për të mos e zhvilluar të paktën në një gjatësi vale me pjesën e jugut të vendit. Ku vetëm për segmentin nga Vlora në Himarë, qytetarët, përveçse kanë një autostradë të shpejtë thuajse në 80% të rrugës, me hapjen e tunelit dhe rrugëve deri në Palasë e Drimadhes, kanë mbi tre alternativa që i japin lirshmëri lëvizjes. Shto këtu edhe ndërtimin bypasit të Vlorës nga Kanina, apo unazës së qytetit që i është shtuar transballkanikës, së bashku me Lungo Maren. Pa harruar rrugën 80 milionë euroshe të Lumit të Vlorës. Një standard thuajse zviceran i infrastrukturës së jugut, që ka prodhuar vetëm çmime të larta, depresion, shërbime aspak më të mira dhe asnjë rritje cilësore të turizmit në atë zonë. Përveç fitimit kolosal të strukturave klienteliste, asgjë tjetër…
Kjo ka ndodhur pasi shumica e strukturave janë sezonale e të lidhura me operatorë që nuk marrin vesh nga turizmi, ngaqë 9 muaj të vitit merren vetëm me kultivim hashashi.
Megjithatë, ky është problem tjetër, ngaqë është puna e operatorëve sesi e zgjidhin mënyrën e sjelljes e të shërbimit ndaj turistëve. Qeveria duhet të ofrojë mundësi të paktën normale për të gjithë vendin. Por veriu, që është zbuluar si një destinacion edhe më i kërkuar kryesisht nga turistët e pasur si ata gjermanë, francezë, apo nordikë, sot i streson të gjithë si pasojë e mungesës së infrastrukturës.
Një qasje totalisht dhe qartësisht e qëllimshme prej Edi Ramës, i cili në gjithë këtë kohë mund të zgjeronte të paktën rrugët ekzistuese por nuk e ka bërë. E duket se e gjitha kjo ka ndodhur me dashje, për të favorizuar e ndarë vendin, duke ndaluar kështu një integrim ekonomik linear.
Përveçse një kauzë që mund ta përdorë opozita e vendit, kjo është edhe një dosje që duhet të shkojë për verifikim penal.
A ka pasur propozime për ta zhvilluar infrastrukturën në veri?
Nëse ka pasur, cila ka qenë përgjigja e Ramës?
Nëse e ka penguar apo zvarritur siç ka bërë 12 vjet me rrugën e Arbrit, që është kthyer në një ’Rozafë’, a përbën vepër penale? Debati duhet të nisë tani!