Policia Kufitare në Vlorë në bashkëpunim me Guardia di Finanza-n kanë bllokuar mëngjesin e kësaj të premteje dy mjete lundruese që dyshohet se do përdoreshin për trafik të lëndëve narkotike.
Mjeti i parë lundrues u bllokua në zonën e Petroliferës, ndërsa mjeti i dytë në zonën e pyllit te Akërnisë.
Mjeti i parë lundrues ishte një skaf plastik, pa emër, me gjatësi 7.5m dhe gjerësi 2.2m, me dy motora të fuqishëm.
Gomonia dyshohet se ka ardhur nga Italia dhe se drejtohej nga dy shtetas italianë të cilët sapo kanë parë Policinë, kanë fshehur mjetin në krah të kalatës së Petroliferës dhe janë larguar.
Ndërsa, gomonia e dytë është konstatuar gjatë kryerjes së shërbimit nga ana patrullës së SPK Triport, në zonën e pyllit të Akërnisë, Hidrovor ku është konstatuar një mjet lundrues tip skaf i gjatë 8 m, i hipur në karelë dhe në afërsi të saj dhe një mjet tip kamionçinë.
Nga të dhënat paraprake rezulton se mjeti lundrues është në pronësi të shtetases L. Xh dhe përdorues mjeti S. Xh.
Nga kontrolli i territorit nuk është gjetur ndonjë send i kundraligjshëm.
Vijon kontrolli i zonës si dhe puna për zbardhjen e rrethanave për të dy rastet.





