SHKODER, 19 shkurt 2013– Një sasi droge prej 5 kg kanabis sativa është bllokuar mbrëmjen e të hënës në pikën e kalimit kufitar të Muriqnit në Shkodër.

Policia tha se drogën e posedonin dy të rinj nga Tirana, Ergers Çorbja dhe Matilda Zogu, të cilët janë shoqëruar më pas nga polici.

Ata udhëtonin me një automjet tip Audi me targë AA 446 EU për në Mal të Zi.

Gjatë kontrollit të mjetit, policia ka gjendur të fshehura në pjesët e brendshme të makinës 5 kg kanabis sativa të tharë dhe të paketuar, mbështjellë me natriban.

Destinacioni i lëndës narkotike ka mbetur i paqartë, ndërsa policia ka kryer veprimet përkatëse dhe ka bërë sekuestrimin e mallit.