10 nëntor 2015 – Autoriteti Kombëtar i Ushqimit ka ushtruar sot kontroll në tregjet e Elbasanit për verifikimin e cilësisë së mishit.
AKU-ja bën me dije se një subjekti i janë bllokuar 56 kilogramë mish, 20 kilogramë sallam dhe një sasi e konsiderueshme qoftesh, pasi këto produkte kanë qenë të pacertifikuara. Për këtë, subjektit i është vënë edhe një gjobë prej 500 mijë lekë të vjetër.
Ndërkaq, drejtori i Përgjithshëm i AKU-së Afrim Bakaj, ka zhvilluar një takim me Drejtorinë Rajonale të Elbasanit ku janë diskutuar masat kundër informalitetit. Ai njoftoi se në Bashkinë e Elbasanit do të ngrihen 16 grupe inspektimi të cilat do të kontrollojnë vendet e tregtimit dhe ato të therjes së mishit.
Në fokus të këtij kontrolli do të jenë 74 subjekte, përfshirë edhe ato të gjësë së gjallë. Po ashtu, në një fazë të mëvonshme do të ngrihen grupe kontrolli edhe për subjektet që tregtojnë mishin e përpunuar.
/portali DurresLajm/