Gjendja e keqe e financave të pushtetit vendor në Durrës ka bllokuar të gjitha investimet publike, duke përfshirë këtu edhe ato të sistemit arsimor. Kolapsi financiar duket se do të vazhdojë pasi pushteti lokal është shumë larg realizimit të planit të të ardhurave. Ndërsa po afron fundi i vitit realizimi i të ardhurave për 9 mujorin është vetëm 7 milion dollarë nga 13 milion që është në total realizimi vjetor. Nga ana tjetër drejtoria rajonale e Tatimeve, që deklaroi plot eufori në përfundim të sezonit veror tejkalim të planit të të ardhurave tashmë e ka kyçur gojën dhe nuk jep asnjë informacion për median.
Bashkia
Kriza financiare që ka prekur bashkinë e Durrësit, është reflektuar në shkurtimin e të gjitha shpenzimeve operative, madje edhe të telefonave të zyrave. Pagat e muajit tetor janë shpërndarë me një javë vonesë, ndërsa në urdhrin e brendshëm të shpërndarë nga kreu i bashkisë së Durrësit të gjitha ndërmarrjeve në varësi të saj njoftohen se pagat dhe puna do të vijojë edhe për 2 muajt në vijim deri në mbylljen e vitit.
Situata financiare për nëntë mujorin e vitit 2012 është mjaft negative përsa i përket realizimit të të ardhurave, sepse nga 13 milion dollarë të planifikuara në buxhet janë realizuar vetëm 7 milion për 9 mujorin. Kjo ka sjellë edhe ndërprerjen e investimeve publike, madje edhe atyre të planifikuara në infrastrukturë e arsim, midis të cilave është dhe rikonstruksioni i 2 shkollave të mesme të planifikuara për këtë vit. Situata është konsideruar mjaft problematike kryesisht në dy ndërmarrjet që merren me pastrimin e qytetit dhe zonës së Plazhit.
Me një urdhër të deleguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Tiranë në këtë drejtori nuk jepet asnjë informacion se sa biznese kanë shpallur falimentimin, sa janë aktivë, sa janë debitorë ndaj drejtorisë së Tatimeve etj. Ndërsa bashkia e Durrësit e justifikon realizimin e të ardhurave me vështirësitë ekonomike që po kalon biznesi drejtoria rajonale e tatimeve nuk reagon
Për më shumë se një javë ndërmarrja komunale e plazhit të Durrësit bllokoi tërësisht funksionimin e saj, jo vetëm se punonjësit nuk kishin marrë pagat, por sepse asnjë prej makinerive të pastrimit nuk kishte më karburant, e për pasojë pastrimi i plazhit u la në mëshirë të fatit. Në situatën e krijuar 12 punonjës të kësaj ndërmarrjeje të sektorit të drejtorisë ekonomike u shkëputën nga puna.
Drejtori i Komunales, Alfred Dhuli, tha se në 31 Tetor u ndërpre kontrata me 12 punëtorë, të cilët dolën në sistencë, si pasojë e krizës ekonomike. Vetëm në fundjavë, pas zhbllokimit të fondit nga bashkia e Durrësit ka nisur puna në këtë ndërmarrje, ndërsa në prag proteste kanë qenë edhe punonjësit e pastrim gjelbërimit, të cilëve u ishin vonuar pagat.
Bllokohen investimet publike
Mungesa e parave në arkën e bashkisë së Durrësit, ka bërë që prej muajit shtator, situata të përkeqësohet deri në atë pikë, sa asnjë prej investimeve të planifikuara në infrastrukturë dhe në arsim të mos fillojë gjatë këtij viti kalendarik. Faza e dytë e rikonstruksionit të sheshit Liria qëndron e bllokuar, po kështu vijimi i investimit në shëtitoren Taulantia, ndërtimi i rrugës së brendshme në plazh që nis nga posta deri në unazë, vazhdimi i investimit në kuartallet e lagjeve nr. 17 e 18, ndërtimi i rrugëve në lagjen nr. 7 dhe 8, investime këto të parashikuara në buxhetin e vitit 2012. Ndërkohë investimet në arsim do të përqendroheshin në rikonstruksionin e dy shkollave të mesme “Jan Kukuzeli” e “Naim Frashëri”, që rrezikojnë të mos nisin fare këtë vit, për shkak të kolapsit financiar të bashkisë së Durrësit.
Apati në drejtorinë e Tatimeve
Drejtoria e tatim Taksave të Durrësit i ka mbyllur dyert e komunikimit me median. Me një urdhër të deleguar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve në Tiranë në këtë drejtori nuk jepet asnjë informacion se sa biznese kanë shpallur falimentimin, sa janë aktivë, sa janë debitorë ndaj drejtorisë së Tatimeve etj.
Ndërsa bashkia e Durrësit e justifikon realizimin e të ardhurave me vështirësitë ekonomike që po kalon biznesi drejtoria rajonale e tatimeve nuk reagon. Kjo drejtori ka të drejtën ligjore të kontrollit të situatës financiare të të ardhurave të bashkisë së Durrësit, nëpërmjet kontrollit të biznesit të vogël, xhiros ditore, mbledhjes së TVSH-së, pagesave të detyrimeve etj. Por ndërsa pritej reagimi i saj kjo drejtori hesht. Biznesi i vogël paguan taksë ndaj bashkisë, tatimin mbi fitimin në bazë të xhiros që ka bërë.
Xhiroja është me vetëdeklarim dhe llogaritet nga Drejtoria e Tatim Taksave. Taksapagues të biznesit të vogël në Durrës për vitin 2012, janë 3884 të cilët llogariten aktivë, sipas të dhënave të Tatimeve. Në vitin 2011 operonin 3373 dhe nga të dhënat zyrtare rezulton se këtë vit janë hapur 511 subjekte të reja më shumë se një vit më parë. Tatimet u mjaftuan vetëm me deklarimet e kreut të tyre në përfundim të sezonit veror, deklarime që hodhën poshtë statistikat e bashkisë lidhur me bizneset private që operonin në zonën e Plazhit.
Që nga muaji shtator drejtoria rajonale e Tatimeve nuk ofron më asnjë statistikë, madje as shifrën që ajo u detyrohet bizneseve private për shkak të mos rimbursimit të TVSH-së.
Biznesi në vështirësi
Biznesi i ndershëm në këtë kohë po shikohet si një lopë për t’u mjelë, nga të gjithë, pak nga pak, deri në shterimin e pikës së fundit. Në drejtorinë e Tatimeve ka një numër të madh biznesesh që ankohen çdo ditë për vlerën e TVSH-së që shteti ju detyrohet e që duhet t’ua kthejë. Janë me miliona e miliona lekë, të pakthyera ndaj biznesit, ( shifra e saktë nuk dihet përsa kohë Tatimet e Durrësit nuk japin asnjë informacion zyrtar), i cili në rastin më të parë përballet me forcën e shtetit, nëse nuk paguan detyrimet tatimore. Por ndërsa shteti nuk i kthen biznesit vlerën e TVSH-së, ndaj këtij të fundit nuk ka asnjë tolerim nëse nuk paguan në kohë detyrimet tatimore, duke u përballur me gjoba të rënda apo konfiskime malli apo llogarish bankare. Nuk bëhet e ditur se çfarë ndodh me mjaft subjekte ku janë vendosur masa administrative. Sa masa të tilla janë vendosur gjatë nëntë mujorit të vitit 2012, sa janë vjelë, sa biznese janë taksapagues të rregullt, sa prej tyre kanë falimentuar, sa është vlera e debisë së TVSH-së së pakthyer subjekteve të gjitha këto janë pyetje që nuk marrin përgjigje nga Tatimet e Durrësit.