Që nga ora 13:45 e kësaj të hëne, dhjetëra pasagjerë të linjës Rinas – Venecia kanë mbetur të bllokuar në avion në aeroportin e Rinasit.
Pasagjerë të bllokuar prej më shumë se 3 orësh, rrëfejnë për “DurrësLajm” se situata është mjaft e acaruar dhe e rëndë. Mësohet se pak minuta më parë, pasagjerëve ka nisur t’iu shërbehet ushqim dhe ata i tremben faktit se pritja do të jetë e gjatë.
Deri më tani, askush nuk i ka sqaruar se pse gjithë kjo vonesë dhe për më tepër që avioni është i mbushur plot duke mos u respektuar aspak masat anti-Covid.
Pasagjerët thonë se është e patolerueshme që në një situatë të tillë ata të lihen pranë njëri-tjetrit në një ambient të mbyllur për shumë orë me radhë.
“Të paktën të na zbrisnin dhe të na dërgonin në sallën e pritjes”, thotë i shqetësuar njëri prej tyre.
Deri më tani, kompania Wizz-Air nuk ka dhënë asnjë arsye për vonesën disa orëshe të nisjes së avionit. Gjithashtu ende nuk dihet nëse avioni do të udhëtojë sot drejt aeroportit të Venecias apo jo.





