Pas tërmetit me magnitudë 6.4 ballë që goditi ishullin e Indonezisë qendrore, Loombok, mëngjesin e së dielës, mediet ndërkombëtare raportojnë se më shumë se 500 persona kanë mbetur të bllokuar si pasojë e rëshqitjeve të dheut.
“Ka ende 560 njerëz të bllokuar. Pesëqind janë në zonën e Segara Anakan dhe 60 janë në Batu Ceper”, tha kreu i parkut kombëtar Rinjani Sudiyono.
Deri më tani të paktën 14 vetë kanë vdekur dhe mbi 160 janë plagosur, ndërsa janë dëmtuar më shumë se 1,000 shtëpi.
Tërmeti u ndje edhe në ishullin fqinj të Balit, por aty nuk u raportua asnjë dëmtim apo fatkeqësi.
Indonezia tronditet nga tërmete të shpeshta, pasi ndodhet mbi “Unazën e Zjarrtë” të tërmeteve dhe shpërthimeve vullkanike që rrethon Oqeanin Paqësor.





