Prej dy ditësh segmenti rrugor nga pallati i kulturës "Aleksandër Moisiu" deri tek Mauzoleumi i Dëshmorëve është bllokuar për shkak të disa punimeve që po kryen firma zbatuese e projektit.

Investimi që nisi në vitin 2018 përfshiu rikualifikimin e rrugës "Aleksandër Goga", nga sheshi "Liria" deri tek Mauzoleumi i Dëshmorëve si dhe rrugën lidhëse "Fetah Bllaca". Punëtorët këtë fillim viti kanë nisur me vendisjen e gurëve dekorativë në rrugë duke ngushtuar edhe më shumë rrugën për kalimin e automjeteve.

Nuk dihet nëse këto elementë të rinj po vendosen në këtë projekt. Projekti parashikoi krijimin e një unaze që mendohej të lehtësojë trafikun me ndërtimin e një rreth rrotullimi në rrugën që zbret nga biblioteka e qytetit e lidhet me aksin "Aleksandër Goga".

Po kështu, projekti parashikoi ndërtimin e një rruge për qarkullimin e mjeteve në segmentin "Fetah Bllaca", pas pallatit të kulturës, në krah të rotondës pas testeve arkeologjike që do të kryheshin.

Firma fituese e tenderit është “Al-asphalt shpk”, e cila zhvillon punimet me 70% të vlerës fillestare të projektit të financuar nga bashkia Durrës. Punimet përfshijnë riveshje trotuaresh me gurë trami 6v në të dy krahët, ndriçim i ri, riveshje asfaltike.

Projekti synon që të ndërtojë rrugën që lehtëson trafikun, duke kaluar një pjesë të automjeteve që përshkojnë aksin "Aleksandër Goga", në drejtim të rrugës "Fetah Bllaca".

Në këtë segment është parashikuar zgjerimi i rrugës dhe ndërtimi i trotuarëve në të dy krahët, por gjithçka do të varet nga ekspertët arkeologë, të cilët do të japin apo jo leje për t’u ndërtuar rruga për qarkullim mjetesh në qendër të Durrësit, vetëm pasi të kenë bërë testet arkeologjike.

K.H.