Rreth 100 pasagjerë janë bllokuar në portin e Durrësit dhe nuk janë lejuar deri tani të imbarkohen në tragetin e linjës Durrës-Bari.
Shtetasit në fjalë janë me dokumente italiane, por sipas një burimi jo të gjithë kanë qenë në listën e ambasadës italiane në Tiranë dhe konsullatës në Kosovë. Nga rreth 250 pasagjerë që kanë prërë biletën e tragetit, rreth 100 nuk figuronin në listë dhe për këtë arsye në port kanë mbërritur dhe policë italianë dhe që lejojnë asnjë person që të niset drejt vendit të tyre.
Burime portuale bëjnë të ditur për DurrësLajm se problematika e natës së sotme duket se është shkaktuar prej mosmarrëveshjeve mes palës shqiptare dhe asaj italiane. Kujtojmë se dy vendet ende nuk i kanë hapur kufijtë njëri me tjetrin, ndërkohë që gjatë muajit të fundit kanë vijuar riatdhesimet përmes udhëtimeve me avion dhe traget. Ende nuk ka një datë konkrete se kur do të mund të nisin udhëtimet rregullisht mes Shqipërisë dhe Italisë.





