Policia e Durrësit ka reaguar paraprakisht lidhur me zjarrin e madh që ka rënë te një pikë karburanti në afërsi të Urës së Dajlanit në autostradë.
Policia thotë se zjarri ka rënë në magazinën e karburantit, ndërsa fatmirësisht nuk ka persona të dëmtuar.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe shërbimet e zjarrfikëses, të cilat po punojnë për fikjen e zjarrit. Por era e fortë që fryn sot po pengon në shuarjen e flakëve.
Ndërkaq, forcat e policisë kanë bllokuar hyrjen në autostradë, siç duket edhe nga pamjet filmike që sjell operatori Denis Simaku.
“DurrësLajm” raporton se në vendngjarje ka mbërritur edhe prefekti i qarkut Durrës Emiljan Jani së bashku me kreun e Emergjencave Civile Artur Lekbello.
Në mbështetje të mjeteve zjarrfikëse nga Durrësi kanë ardhur edhe mjete nga Shijaku, si edhe dy zjarrfikëse të aeroportit të Rinasit.
Informacion paraprak nga policia
Rreth orës 14:40, në lagjen nr.14 Durrës, ka rënë zjarr në magazinën e një karburanti.
Nuk ka persona të dëmtuar.
Në vendngjarje ndodhen shërbimet e Policisë dhe shërbimet e zjarrfikëses, të cilat po punojnë për fikjen e zjarrit.
Grupi hetimor po punon për zbardhjen e rrethanave të ngjarjes.





