SHKUP, 15 prill 2013 – Gjykata Administrative e Maqedonisë ka vendosur sot që të ketë rivotime për raundin e dytë edhe në komunën e Strugës, ku doli fitues kandidati shqiptar, Ziadin Sela raporton Agjencia e lajmeve INA.
Trupi gjykues ka vendosur që të ketë rivotime në 9 qendra votimi, duke pranuar paditë e parashtruara nga VMRO-DPMNE për parregullsi.
Me këtë vendim, do të ketë rivotime për raundin e dytë në komunën e Strugës në garën midis kandidatit shqiptar, Ziadin Sela dhe kandidatit maqedonas, Vladimir Koçoski. Sipas këtij vendimi, pritet të rivotojnë 7.530 votues. Në raundin e dytë, Sela ka pasur mbi 5 mijë vota epërsi ndaj kandidatit maqedonas Koçoski.
/m.b. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/





