Ministri i Bujqësisë Edmond Panariti, deklaroi se është bllokuar importi i mishit nga Kosova dhe Maqedonia, dy vende kufitare ku është shfaqur virusi Dermatoza nodulare që prek gjedhët. “Ky virus nuk transmetohet te njeriu, por si masë paraprake kemi vendosur të bllokojmë importin e mishit nga këto dy vende, dhe shumë shpejt nis vaksinimi i të gjithë gjedhëve në zonat kufitare të vendit”, pohoi ministri.
Ministri i Bujqësisë, Zhvillimit Rural dhe Administrimit të Ujërave, Edmond Panariti, e bëri deklaratën në një prej fabrikave të përpunimit të mishit në Kavajë, ku ka inspektuar kushtet e rritjes, të therjes, e përpunimit të gjedhit.
Është fabrika “hallall” e cila nga arabishtja në shqip do të thotë “e lejuar”. Ministri deklaroi se kjo është një fabrikë unike në Shqipëri, e cila respekton me rigorozitet kushtet për therjen e kafshëve.
K.H.





