Në vijim të ndërhyrjes në superstradën Tiranë-Durrës, prej orës 06:00 të mëngjesit të sotëm ka nisur faza e pestë e punimeve për segmentin nga Ura e Dajlanit- Mbikalimi Sukth në drejtimin Durrës-Tiranë.
Nga ana e Autoritetit Rrugor Shqiptar dhe Policisë së Qarkullimit Rrugor është hartuar një plan operacional i ndërhyrjes dhe devijimit të trafikut për të shmangur bllokimin e qarkullimit dhe garantuar mbarëvajtjen e punës në terren.
1. Bllokimi/Devijimi i trafikut ka nisur në orën 06:00 të ditës së sotme datë 26/06/2018.
2. Automjetet që udhëtojnë nga Durrësi në drejtim të Tiranës duhet të devijohen tek Ura Dajlanit dhe të vazhdojnë në rrugën dytësore deri në kryqëzimin e Sukthit dhe në vazhdim mund të dalin përsëri në autostradë ose të vazhdojnë në rrugën dytësore.
3. Ky devijim do të përfundojë në orën 24:00, datë 26/06/2018.
Plani menaxhimit të trafikut i sipërcituar mund të ndryshojë në varësi të kushteve të motit, në çdo rast ndryshimi, ARRSH dhe Policia e Qarkullimit Rrugor do të përditësojnë skemat e lëvizjes dhe informojnë opinionin publik dhe përdoruesit e rrugës.
Ju njoftojmë se punimet e fazës së IV-t në segmentin Ura e Shkozetit – Ura e Dajlanit drejtimi Tiranë – Durrës kanë përfunduar dhe segmenti rrugor është i hapur për trafikun përpara afatit të parashikuar.
Kjo do të thotë se aksi Tiranë-Durrës është i përfunduar dhe i hapur në vijimësi. Tashmë do punohet në aksin në kthim Durrës-Tiranë.





