16 shtator 2015 – Porta kryesore e kalasë së Ishmit është e bllokuar nga një subjekt privat dhe banorët apo vizitorët hyjnë në oborr nga të çarat në muret mesjetare. Prej gati 20 vjetësh hyrja e vetme e kalasë ka mbetur peng i një problematike prone.

Kalaja mesjetare e Ishmit ndodhet në të njëjtin territor, ku është ngritur edhe varri i piktorit me famë evropiane, Ibrahim Kodra, me titull “Nderi i Kombit”, i cili ka lindur në një nga fshatrat e kësaj zone. Disa vjet më parë u përgatit një projekt për ngritjen e Muzeut, kushtuar mjeshtrit Kodra, si dhe për rivitalizimin e kalasë së ndërtuar në gjysmën e dytë të shek. të 16-të, por çdo gjë mbeti në letër.

Kalaja që ndodhet në një pikë dominuese mbi fushën e Thumanës në lindje dhe me fushëpamje deri në bregdetin Adriatik në krahun perëndimor, është ndërtuar në vitin 1574 nga pushtuesit osmanë.

Aktualisht, në oborrin e saj banojnë katër familje me mbiemrat Hyzoti dhe Kalaja, ndërsa mjedisi që ka bllokuar hyrjen kryesore për disa kohë u përdor si zdrukthtari.

/portali DurresLajm/