Reshjet e vazhdueshme të borës në veri të vendit kanë sjellë bllokimin e rrugës nga Qafa e Thorës deri në Theth. Për shkak të mungesës së pastrimit të dëborës, është izoluar pika turistike e Thethit, duke sjellë pasoja të rënda për turizmin dhe komunitetin lokal. Pamjet e dërguara nga banorët e Thethit tregojnë situatën kritike, ku trashësia e dëborës ka arritur nga 50 cm deri në 1 metër. Prej 3 ditesh, lëvizja është e mundur vetëm për mjete të larta, ndërsa për makinat e zakonshme është e pamundur.
Borëpastrueset kanë arritur të pastrojnë rrugën nga Boga deri afër Qafës së Thorës, por më pas janë larguar, duke lënë pjesën tjetër të rrugës të bllokuar. Kjo situatë ka shkaktuar anulime të shumta të rezervimeve për festimet e Krishtlindjes, duke dëmtuar operatorët turistikë dhe bizneset lokale që mbështeten tek turistët në këtë periudhë. Në këtë zonë janë probleme edhe orteqet e shumtë që bien herë pas here.