BRUKSEL – Rekomandimi i Komisionit Europian për Shqipërinë është kritikuar nga Steven Blockmans, një prej studiuesve më të njohur të Qendrës për Studimin e Politikave Europiane (CEPS), me seli në Bruksel. 

Në publikimin e përdymuajshëm të kësaj qendre, Blockmans analizon proçesin e zgjerimit të BE-së, ku propozimi i Komisionit për Shqipërinë përmendet si shembull për rënien e besueshmërisë. 

“Që proçesi i zgjerimit të mos degjenerojë në një farsë, BE duhet të përmbahet nga ofrimi i formave të holluara të statusit kandidat, si ai i propozuar për Shqipërinë në strategjinë e 10 tetorit, që kushtëzohet me përmbushjen e masave kyçe në fushën e gjyqësorit, reformës në administratën publike dhe me një rishikim të rregullores së Parlamentit”,- deklaron Blockmans. 

Megjithë entuziazmin e shkurtër që pritet të shkaktojë anëtarësimi i afërt i Kroacisë, Blockmans parashikon se “lodhja” e BE-së nga zgjerimi do të jetë e qëndrueshme, veçanërisht për vendet aspirante me ekonomi të vogël, administratë të dobët dhe autoritete të korruptuara të forcimit të ligjit. 

“Kërkesat e BE-së për reforma të vazhdueshme kanë nisur të bien në vesh të shurdhër, veçanërisht për ata udhëheqës politikë që kalkulojnë se sa vota mund t’ju sjellë një anëtarësim i largët në BE. Rezultati është shpesh një pajtueshmëri false me kushtëzimin e BE-së. Ruajtja e aparencës mund të jetë politikisht dhe ekonomikisht më e favorshme në terma afatshkurtër, por është sigurisht e dëmshme për progres real në terma afat-gjatë”,- nënvizon Blockman. 

Në përfundim të analizës së tij, studiuesi i mirënjohur këshillon Komisionin Europian që të gjejë rrugë të reja për të konsoliduar axhendën e zgjerimit, që të fitojë mbështetjen e plotë të vendeve anëtare dhe që të sigurojë zbatimin e qëndrueshëm të kushteve të para-anëtarësimit.