Vonesa në zbatimin e ligjit të dekriminalizimit, për deputetin socialist Ben Blushi është një provë që tregon se politika nuk e do reformën në drejtësi.

Gjatë seancës së sotme plenare, Blushi tha se palët prej 25 vitesh vazhdojnë i hedhin fajin njëra-tjetrës.

“Reforma në drejtësi po bllokohet me konsensus. Sot po marrim vendim ta shtyjmë me konsensus pa afat. Aktet që ka sjellë opozita janë një kërkesë për ta shtyrë reformën në drejtësi. Sigurisht refuzimi i këtyre akteve është për ta postuar fajin siç ka ndodhur në këto 25 vjet. Kjo është loja që ka ndodhur në këto 25 vjet. Secila palë i ka hedhur fajin tjetrës dhe asgjë nuk ka ndodhur.

Besoj se edhe nëse do të ketë reformë në drejtësi, drejtësi nuk do të ketë. Ky parlament prodhon më shumë fjalë sesa akte të dobishme, flet por shumë pak mendon, paragjykon por shumë pak gjykon. Ky parlament sigurisht që është me shqiptarë, por në shumë pak raste është në dobi të shqiptarëve. Ky parlament, sot për këto arsye po bën gjithçka që ka në dorë për ta shtyrë dhe për ta bërë hiç reformën në drejtësi.

Shqipëria e gjitha po kthehet në një pazar që ka pak investime, konsum pak ekonomi, shumë pak njerëz e shumë krim”, u shpreh Blushi para kolegëve deputetë.