Durrësi po përballet me një situatë katastrofike. Me qindra banesa janë përmbytur, prona dhe pasuri të shkatërruara, ndërsa familje të tëra kanë mbetur pa asnjë mbështetje institucionale.
I pranishëm pranë banorëve të prekur, Tefi Blushi, kryetari i Partisë Lirisë, akuzoi drejtpërdrejt qeverinë dhe Bashkinë e Durrësit për përgjegjësi të plotë, duke theksuar se kjo tragjedi nuk është pasojë e motit, por e korrupsionit. Sipas tij, shteti është zhdukur edhe 48 orë pas përmbytjeve, duke i lënë qytetarët në mëshirë të fatit.
“Blushi pranë familjeve të përmbytura në Durrës: Banorët të dëmshpërblehen për çdo qindarkë dëm. Përmbytjet i shkaktoi korrupsioni
Është më shumë se katastrofike.
Me qindra shtëpi janë përmbytur, krejt prona të shkatërruara, pasuri e përmbytur nga uji.
Shteti, 48 orë pas kësaj tragjedie që nuk ka ndodhur për shkak të motit, por për shkak të një qeverie të korruptuar dhe të një bashkie që ka vjedhur të paktën 46 milionë euro, është zhdukur duke i lënë këta banorë në mëshirë të fatit.
I bëj thirrje të menjëhershme Edi Ramës, ndërprit pushimet!
Shteti duhet të çohet në këmbë, të vijë pranë banorëve, të cilët duhet të dëmshpërblehen, çdo qindarkë dëm që ka ardhur si pasojë e një babëzie, e një korrupsioni të pafe që sot po rëndon mbi supet e këtyre familjeve.
Është kriminale ajo çfarë ka ndodhur në Durrës.
Fatkeqësi natyrore mund të ketë një herë në 20 vjet, por jo çdo vit.
Këto janë pasojat e korrupsionit skizofrenik të Edi Ramës.
Këto janë pasojat e korrupsionit, përmbytjet, sepse kanë vjedhur lekët e kanalizimeve.
Lekët e ujësjellësit i kanë vjedhur, lekët e hidrovoreve që nuk punojnë i kanë vjedhur, i kanë futur në xhep.
Prandaj fshihet Emirjana Sako që duhet nxjerrë për zverku nga zyra.
Kjo është kriminale!”, shprehet Blushi.





