-
Ajo që në rrjetet sociale është bërë argument i ditës edhe në profilin e Edi Ramës dhe politikanëve të tjerë si dhe qytetarëve, ka shpërthyer edhe në Parlament.
19 DHJETOR 2014 – Deputeti socialist Ben Blushi i ka bërë thirrje kryeministrit Edi Rama që t’i japë fund përsëritjes publike të fjalës “burg”, siç e shihni dhe në videon më poshtë.
Ben Blushi ka shprehur rezervat e tij lidhur me politikat e fundit të kryeministrit Rama që lidhen me masa për të forcuar shtetin ligjor dhe për të mbushur sa më shumë arkën e shtetit me paratë e qytetarëve që kanë debi ndaj institucioneve publike.
Blushi tha se është kundër përdorimit pa kriter të fjalës burg dhe se kjo gjë e shqetësonte atë dhe shumë të tjerë.
“Burgu nuk është e vetmja formë korrektimi dhe shqiptarët e kanë provuar burgun për 50 vjet”, – tha Blushi duke aluduar kështu se metodat e Ramës sipas tij, ngjajnë me ato të kohës së diktaturës.
Kur parlamenti po diskutonte ndryshimet në kodin penal për ndërtuesit e paligjshëm, Blushi ka sjellë si shembull se “nuk mund të vihen në një kandar si një fshatar i mjerë në Ibë, që i është shembur shtëpia nga rrëshkitja e dherave dhe që kërkon të rindërtojë murin e shtëpisë së tij ndërkohë që qeveria i ka pezulluar lejet e ndërtimeve me moratorium, me ndërtuesit e mëdhenj që ndërtojnë pa leje.
Kryeministri Rama ka reaguar pa vonesë: “Nuk duhet të kapemi pas fjalës e as mos e marrim rastin e veçantë të njerëzve që u ka rënë çatia as muri”, – tha ai duke e shigjetuar Blushin se po përsëriste akuzat e opozitës që kritikon Ramën se po i tremb shqiptarët me burg. “Nuk kam kompleks të përdor fjalën burg për t’i kthyer liritë atyre që respektojnë shtetin”, – tha Rama.
Që kur mazhoranca e majtë u rikthye në pushtet me kryeministër Edi Ramën, ish kreu i Lëvizjes për Mendimin Ndryshe në PS,Ben Blushi, disa herë ka shigjetuar kreun socialist duke e kritikuar.
Si nisi debati
Diskutimi gjatë së sotme seancës plenare i disa ndryshimeve në kodin penal që parashikon sanksionimin e dënimit me burg ndaj personave që ndërtojnë pa leje, ka sjellë debate dhe diskutime në seancë e sotme plenare.
Ka qenë fillimisht deputeti i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Spartak Braho që ka kërkuar që amendamentet e ndryshimeve në kod të rishikohen, pasi nuk përcaktohen qartë kriteret mbi bazën e të cilave do të ndërmerren dënimet ndaj ndërtimeve pa leje.
Më pas, deputeti socialist, Ben Blushi gjithashtu ka mbështetur vendimin e Brahos duke theksuar se në ligjin në fjalë nuk përcaktohet qartë se kush do të dënohet dhe a do të dënohet njësoj: një person që ndërton pa leje me një fshatar që i ka rënë muri i shtëpisë dhe duhet ta rregullojë.
“Amendamenti konsideron njësoj një fshatar në Ibë që i ra shtëpia jo për fajin e vet para tri ditësh, që është i detyruar të rregullojë murin, por për shkak se komuna nuk jep leje ndërtimi janë bllokuar lejet e ndërtimit për arsye nevoje njësoj si për ata industrialistët e mëdhenj të Tiranës. Amendamenti i fut të dy në një thes. Është e drejtë mendoni ju?! Që dikush në një fshat të dënohet pse ndërton në tokën e vet, sepse amendamenti nuk përcakton se ku fillon e mbaron faji nëse je në tokën time apo të tjetrit. Është e padrejtë, pa dashur të kthej në polemikë, që fjala burg më shqetëson, jo vetëm mua por shumicën këtu, dhe po e përdorim pak si pa masë kohët e fundit. Nuk besoj se burgu është mundësia më e mirë për të korrektuar. E kanë provuar 50 vjet shqiptarët. Kush thyente ligjin shkonte në burg, nuk jemi më aty. Ka instrumente të tjerë shteti didaktik, verbale, pastaj gjoba dhe pastaj burgu për t’i korrektuar ”, tha Blushi.
Ja ndërhyrja e plotë e kryeministrit pas deputetit Ben Blushi:
"Së pari, ju faleminderit për vërejtjen. Nuk është origjinale, pasi ka kohë që e bën me zë të lartë dhe me zhurmë të madhe opozita, për përdorimin më tepër se ç’duhet të fjalës burg, por unë dua t'i vë çdo gjëje fjalën që ka".
Këtu nuk bëhet fjalë për të futur në burg që ditën e parë dikë që ndërton pa leje. Këtu bëhet fjala për t’i dhënë fund një historie që vazhdon, jo prej një dite por prej 25 vjetësh. Është një çerek shekulli i humbur që praktikisht i ka hequr Shqipërisë të drejtën dhe mundësinë, bashkë 50 të tjera, edhe ato të humbura, bashke me ato 50 përpara edhe ato të humbura, që të ketë shekull të XX. Kështu që unë s’kam asnjë kompleks të përdor fjalën burg kur bëhet fjalë për tu kthyer lirinë dhe të drejtën atyre që pikërisht sepse kanë zbatuar ligjin, pikërisht sepse nuk kanë guxuar të vënë një tullë as në tokën e tyre pa leje, pasi nuk kanë pasur mundësinë ta marrin lejen në çerek shekulli, sot kanë humbur tokën e tyre, sot kanë humbur mundësinë që të jetojnë normalisht në familjet e tyre në komunitetet ku jetojnë dhe sot kanë humbur mundësinë që të ndjehen mirë sepse janë qytetarë që respektojnë ligjin.
E përballë këtij kanceri, unë vete nuk shoh mundësinë e një terapie tjetër, përveçse një terapie intensive dhe radikale. E përsëris, këtu nuk ka asnjë shpikje. Ky është Kodi Penal i Republikës së Shqipërisë dhe në Kodin Penal të Republikës së Shqipërisë, i vitit 2011, -pra jo pas 23 qershorit, -ka një nen që thotë “ndërtimi i paligjshëm i një objekti në tokën e vet, dënohet me gjobë ose me burgim deri në një vit. Po kjo vepër e kryer në tokën publike apo shtetërore apo në tokën e tjetrit, dënohet me burgim nga 1 deri në 5 vjet”. Sa ndërtime janë bërë që nga viti 2011, deri para pak kohësh kur ndodhi një frenim i konsiderueshëm, qoftë në tokën e vet, qoftë në tokën e të tjerëve apo në tokën shtetërore dhe s’ka një rast të vetëm ku ky Kod Penal i Republikës së Shqipërisë të jetë zbatuar, duke shprehur gjykata vullnetin e këtij Kuvendi?
E njëjta situatë, ekzaktësisht e njëjta ishte me energjinë, me gjobë ose me masa të tjera.
Shikojeni vete atë që po ndodh sot, siç të gjithë e dimë atë që ka ndodhur deri dje. Asnjë i dënuar për vjedhjen e energjisë elektrike dhe borxhi i ngarkuar mbi të gjithë ata që e kanë paguar rregullisht energjinë elektrike 1,1 miliard dollar i akumuluar në 20 vite. Kështuqë këtu nuk bëhet fjalë për t’u kapur pas fjalës, as për t’u tërhequr nga marrja e një hapi të domosdoshëm, duke u nisur nga rasti i një, dy, 12 apo 42 njerëzve që j’u ka rënë çatia apo ju ka rënë muri, e për shkak se j’u ka rënë çatia dhe j’u ka rënë muri janë përballur me forcën frenuese, ndërkohë që nuk ka asnjë, absolutisht asnjë dhe kjo është e ditur për shkak se unë jam marrë vete personalisht sa herë ka pasur ankesë për raste të tilla që një individ i tillë të ketë përfunduar në burg, sepse nuk është e arsyeshme. Por duhet të dallojmë shumë qartë edhe një here tjetër atë që kemi trashëguar, me atë që duam të lëmë pas ne në këtë proces qeverisës dhe me atë që duam tu japim njerëzve. E pikërisht për atë që duam tu japim njerëzve, ne s’kemi asnjë arsye pse të kompleksohemi përballë nevojës për të marrë masa që në vende të ngjashme me ne kanë dhënë rezultate që ne duam të kenë edhe këtu, ndërkohë që sëmundjet tek ne janë shumë më të rënda se sa në ato vende.
Po jua përsëris që janë dy vende të rajonit që kanë çuar ekspertë për t’u konsultuar me ne, duke u munduar të shikojnë dhe rezultatet qoftë për aksionin apo operacionin me energjinë elektrike si pasojë e rëndimit të sanksioneve, qoftë me kalimin e inspektoratit të ndërtimit nën ombrellën e Ministrisë së Brendshme, të dyja masa që ndoshta në një vend tjetër do të ishin të pazakonshme, por këtu jemi në një situatë të jashtëzakonshme. E përballë kësaj situate të jashtëzakonshme, ne nuk mund të tregojmë gishtin, kur gishti tregon hënën. Ne jemi të detyruar të veprojmë dhe të veprojmë me shpejtësi.
Përsa i përket formulimit, unë e thashë dhe njëherë tjetër, s’mbrojta formulimin, jam absolutisht dakord që për çfarëdoqoftë duhet formuluar konform teknikës së nevojshme juridike, u takon juristëve ta bëjnë, por qëllimi është i qartë dhe rëndësi ka që formulimi t’i përgjigjet qëllimit. Në momentin që ne vendosim këto sanksione, na jepet mundësia të vihemi në lëvizje për të çliruar qoftë industrinë e ndërtimit, qoftë edhe të gjithë ata që kanë nevojë për të pasur leje për të bërë ndërtime apo riparime sipas nevojës, sidomos në zonat rurale ku këto nevoja janë të përditshme. Sepse shkalla e mundshme e abuzimit me fjalën riparim, ne kemi pasur rast të shikojmë gjyqe spektakolare, ku nën termin riparim janë shpallur tërësisht të pafajshëm ndërtues që janë vënë përpara përgjegjësisë nga ana jonë në të shkuarën dhe pastaj kanë dalë pa lagur bashkë me katin shtesë se nuk e kishin kat shtesë, por e kishin riparim, e i është dashur të bëjë një kat shtesë lart që të riparojë themelet poshtë. Kështu që është fare e thjeshtë. Nuk ka asnjë shpikje dhe asnjë tendencë për të ekzagjeruar asgjë. Ndërkohë që ajo që kemi jashtë mureve të Parlamentit është mijëra herë më e ekzagjeruar se sa ajo çka ne bëjmë këtu apo përpiqemi të bëjmë këtu në raport me nevojën për ta përballur dhe për ta zbutur maksimalisht atë ekzagjerim. Kështu që jemi në dispozicion për ta votuar formulimin që juristët shikojnë më të arsyeshmin, duke i qëndruar deri në fund qëllimit. Qëllimin besoj e shpreha fare qartë”.
/agjencia kombetare Noa/





