Deputeti socialist Ben Blushi, i njohur për kritikat e tij të ashpra ndaj partisë në të cilën bën pjesë apo dhe vetë kryetarit të saj, Edi Ramës, është shprehur se Partia Socialiste sot është në një moment kritik, pasi prej 6 vjetësh, që nga viti 2009, nuk zhvillon zgjedhje për kryetarin e saj.

Pas përfundimit të mbledhjes së grupit parlamentar të PS-së, në një prononcim për mediet, Blushi tha se Rilindja ka falimentuar.

“Zgjedhje në PS duhet të ketë. PS është në një moment kritik sot. Ekonomia është keq, papunësia është rritur, koalicioni jonë nuk është shumë stabël, është e domosdoshme që partia të ketë mundësi të flasë dhe zgjedhje për kryetarin e partisë. Kryetari i PS-së është ndoshta i vetmi që ka një mandat 7-vjeçar, dhe po shkon drejt një mandati të përhershëm. Nuk ka mandat të përhershëm. Në çdo parti ka zgjedhje njëherë në katër vjet apo dy vjet. PS është e vetmja pa mandat, organizatat po mblidhen në mënyrë klandestine. Edhe në kohën e Partisë së Punës, mandatet ishin të kufizuar. Enver Hoxha zgjidhej një herë në katër vjet, formalisht, por zgjidhej”, tha Blushi.