30tetor 2015 – Politikani dhe shkrimtari Ben Blushi rreth një javë pas daljes në treg të librit të tij të fundit “Kandidati”, shpjegoi personazhet që trajtohen në romanin satiriko-politik. Në një intervistë televizive mbrëmjen e së premtes për emisionin “Zonë e Lirë”, Blushi tha se e ka shkruar këtë roman për drejtimin jo të duhur në të cilin po ecën vendi vitet e fundit.

“Kam shkruar për një botë që e njoh, merrem prej shumë kohësh me politikë. Për fat të keq vitet e fundit nuk është se Shqipëria ka ecur në rrugën e duhur. Kam shkruar shumë se duket që në Shqipëri nuk po ecet në rrugën e duhur. Një qytet afro sa Elbasani detyrohen te lënë vendin, rreth 100 mijë banorë. Shkallë shumë të lartë papunësi, pabarazie dhe të gjitha këto ngacmojnë. Elbasani është zgjedhur si qytet imagjinar kur një kandidat vdes dhe paçka se vdes, ai sërish fiton. Për sa kandidatë është folur në zgjedhjet e fundit lokale si bandit, njerëz të inkriminuar etj. prapë u zgjodhën. Nuk është vetëm faji i atyre që kandidojnë, por edhe i atyre që votojnë. Besoj se në Shqipëri votohet edhe për të vdekurit, jo natyrore, por mendore etj.”, tha Blushi.

/portali DurresLajm/