Tiranë, 18 qershor 2014 – Deputeti i Partisë Socialiste, Ben Blushi, ka përshkallëzuar dje sulmet dhe kritikat e ashpra ndaj kryeministrit Edi Rama, ministrave të tij dhe ndaj linjës së “MJAFT-it” në selinë rozë. Konkretisht, në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Integrimit, gjatë diskutimeve për arsimin e lartë që kalon arsimin profesional nga Ministria e Arsimit në Ministrinë e Mirëqenies Sociale, deputeti Blushi deklaroi se ky kalim ishte i dyshimtë dhe nuk do të kryhej në kushte të tjera. Deputeti Blushi vijoi më tej duke thënë se dizenjohen kompetencat e ministrive sipas muskujve të ministrave. Blushi shigjetoi ministrin Veliaj, ndërsa hodhi poshtë draftin.

“Nevoja që ka tregu për të gjetur profesionistë të shkallës së mesme nuk besoj se justifikon nevojë për të zhvendosur arsimin profesion nga Ministria e Arsimit te Ministria e Mirëqenies. Për shkak se ju thatë që kjo reformë në arsimin profesional ka dështuar me sukses, mund të jem dakord deri në njëfarë mase, por sepse mund të ketë pasur dështime në sistem. Dyshoj, jua them sinqerisht se kjo lëvizje do të ishte bërë në kushte të tjera. Dhe them këtë, dua të them që të mos i dizenjojmë ministritë sipas muskujve të ministrave”, tha Blushi.

Sipas tij, nëse Veliaj do të ishte Ministër i Arsimit nuk do të kishte lejuar kalimin e arsimit profesional në Ministrinë e Mirëqenies Sociale. Kjo, sipas deputetit socialist është e padrejtë, duke shtuar më tej se, sistemi arsimor është unitar.

“Po ta shohim, në fakt ju të Ministrisë së Mirëqenies, merrni vetëm përgjegjësin e emërimit të drejtorëve të shkollave. Erjon nëse do të ishte ministër i arsimit, dyshoj se do ta lejonte këtë gjë. Është e padrejtë sipas mendimit tim. Sistemi arsimor është unitar”,theksoi ai. 

 

/agjencia e lajmeve “Dyrrah”/