Deputeti socialist Ben Blushi deklaroi sot se do të kërkojë hapjen e kutive të referendumit të PS-së, që sipas tij, u bë për të shmangur garën për drejtimin e Partisë Socialiste.
“Do ankohemi për të hapur kutitë. Ka ardhur koha që ata që shkuan në grevë urie për të hapur kutitë me të drejtë, sot duhet të skuqen që kanë bërë të njëjtën gjë brenda PS-së, kanë mbushur kutitë”, deklaroi Blushi.
Ai shtoi se nga kutitë e manipuluara të referendumit buron padrejtësia dhe keqqeverisja e këtij vendi.
“Është një problem me interes publik që tregon se ku ka përfunduar partia me e madhe në Shqipëri. Po flasim për një parti që ka në dorë fatet e Shqipërisë, që merr vendime strategjike për të ardhmen tonë. Kjo parti nuk jep garanci se mund te qeverisë me drejtësi. Nga ato kuti votimi buron dhe padrejtësia që kam tre vjet që denoncoj. Keqqeverisja buron nga ato kuti votimi”, u shpreh Blushi.





