Tre persona kanë mbetur të plagosur pas një aksidenti që u shënua mesditën e kësaj të diele në superstradën Lezhë-Shkodër në afërsi të vendit i quajtur Kryqëzimi i Blinishtit.
Aksidenti ndodhi rreth orës 13:30, kur një automjet tip “BMW X6”, që lëvizte në drejtim të Tiranës, ka kryer një parakalim të gabuar pranë kryqëzimit të Blinishtit, e për pasojë është përplasur fillimisht me një “Mercedes” që po dilte nga ky kryqëzim, e më pas ka goditur edhe mjetin tjetër tip “Renault”, të cilin po tentonte ta parakalonte.
Si pasojë, dy prej mjeteve, konkretisht “BMW X6” dhe “Renault” kanë përfunduar jashtë rruge ku kanë mbetur të plagosur edhe 3 personat që ndodheshin në mjetin “Renault”.
Të plagosurit janë dërguar menjëherë në spitalin rajonal të Lezhës, nga ku raportohet se ndodhen jashtë rrezikut për jetën.
Policia rrugore nisi hetimet për këtë aksident, ndërsa ka bërë me dije se parakalimi i gabuar dhe shpejtësia e madhe me të cilën lëvizte automjeti tip BMV ka qenë shkaku kryesor.





