Teuta luan më 11 janar ndeshjen ndaj Elbasanit, që ka një rëndësi të veçantë për durrsakët, duke ditur pozitat e tyre. Fitorja është synimi i skuadrës së Martinit në këtë transfertë delikate. Sulmuesi Muço Boçi analizon gjysmën e parë të sezonit.
Boçi, sa ju ka ndihmuar pushimi i shkurtër i kampionatit?
Mbyllëm një vit në përgjithësi të mirë në bazë të pikëve, por duhej të bënim më mirë patjetër. Mendoj se kemi lënë 7-8 pikë rrugës, që do të na kishin ngjitur lart. Pushimi na ka ndihmuar, gjendja tani është më stabël. Jemi stërvitur me ritëm të lartë, ndërkohë që edhe atmosfera brenda ekipit është mjaft pozitive.
Si e shihini ndeshjen e radhës kundër Elbasanit në transfertë?
Elbasani ka treguar se është “kockë e fortë” për të gjithë ekipet. Është agresiv, por mendoj se ne do t’i marrim masat dhe shpresoj të bëhet një lojë e bukur dhe në fund të fitojë Teuta. Me Elbasanin kemi pasur ndeshje shumë të forta, rezultatet e tregojnë. E kemi vlerësuar maksimalisht kundërshtarin dhe ajo që duhet të bëjmë është të jemi agresivë. Kjo është “arma” jonë që na ka çuar deri këtu. Me pak fat besoj se do t’ia dalim.
Tashmë e njihni mirë edhe kundërshtarin, pasi jeni ndeshur dy herë?
E njohim mjaft mirë njëri-tjetrin. Kemi parë ndeshjet e Elbasanit, por ne çdo herë tentojmë të bëjmë lojën tonë dhe e shohim pak kundërshtarin. Do të vazhdojmë me lojën tonë, ka edhe shumë ndeshje përpara.
Çfarë nuk ka shkuar si duhet tek Teuta në dy fazat e para të kampionatit dhe a është korrigjuar?
Gabime janë bërë, ne e dimë shumë mirë, ndaj dhe kemi punuar për të minimizuar defektet. Rëndësi ka që të marrim pikët, ato vlejnë më shumë se çdo gjë tjetër. Ambienti në Durrës të jep mundësi të punosh në qetësi dhe këtë gjë po e shfrytëzojmë.
Me ekipin që keni, deri ku mund të shkojë kjo Teutë?
Teuta i ka të gjithë mundësitë të jetë në pjesën e sipërme të klasifikimit. Por unë dhe i gjithë ekipi shohim ndeshjen e radhës në këto momente.