Mesfushori Muço Boçi beson te Teuta për sezonin e ri. Ai thekson se durrsakët nuk janë një skuadër që bën premtime të mëdha, por në fund realizon objektivat e vendosura. Ajo që ndodhi edicionin e fundit, do tentohet të përsëritet sërish.

Si paraqitet gjendja e ekipit pas 8 ditësh në Ohër?

Kushtet janë shumë të mira, temperaturat janë normale. Temperaturat janë ulur pak këtu. Po përgatitemi 100% çdo ditë me përkushtim dhe me nga dy seanca stërvitore në ditë. Gjendja në ekip është e mirë dhe kryesorja është që s’kemi dëmtime.

Boçi, jeni i lumtur që do të jeni pjesë e Teutës dhe për një sezon?

Jam duke u rritur dhe Teuta është klubi perfekt që mund të më mësojë shumë gjëra. Ndihem shumë mirë dhe jam i lumtur që ndodhem këtu, në një nga klubet më të mira në Shqipëri. Do të jap gjithmonë maksimumin tim për këtë fanellë.

Keni zhvilluar dy miqësore…

Miqësoret janë ndeshje për të parë kondicionin fizik të lojtarëve. Kemi kohë mjaftueshëm përpara për t’u përgatitur ashtu si duhet dhe deri në startin e kampionatit jemi të bindur se do të jemi gati.

Shorti i ka rezervuar Teutës ndeshjen e parë me Dinamon në shtëpi, mendoni se do ta nisni mbarë?

Shorti është gjithmonë i vështirë. Kushdo qoftë skuadra përballë, asgjë nuk është e thjeshtë. Dinamo është një skuadër që vjen nga sezon i mirë dhe ka një skuadër të mirë. Ne duhet të japim maksimumin dhe ta përgatisim mirë ndeshjen për ta fituar.

Çfarë objektivi ka Teuta për sezonin e ri?

Në ditët e mbetura deri në fillimin e kampionatit do të vazhdojmë të stërvitemi fort për të qenë gati për nisjen e sezonin e ri. Deri tani, ekipi u është përgjigjur më së miri kërkesave të teknikut, çka na jep besim se fillimi i kampionatit do të jetë pozitiv për Teutën. Sezonin e ardhshëm futbollistik, objektivi i Teutës do të jetë renditja në vendet e para të klasifikimit, për të siguruar pjesëmarrjen në Europa League. Teuta ka ndërtuar një ekip me lojtarë të rinj, të cilët japin garanci. Nuk jemi skuadër që bëjmë premtime, pasi detyra jonë është që të flasim në fushë dhe t’i realizojmë synimet që na vendos klubi.

Në aspektin personal, çfarë synimesh keni me Teutën?

Synimi im është të fitojë një trofe me Teutën. Shpresoj të bëj ndeshje sa më të mira me skuadrën time dhe të rikthehemi më të fortë se një sezon më parë.