TIRANE- Përmes një urdhëri të lëshuar më 1 shkurt, ministri i Financave, Ridvan Bode ka vendosur heqjen e sekuestros mbi pasuritë e shtetasit Jasin Al Kadi. Pronat e arabit Al Kadi, i dyshuar për lidhje me terrorizmin, qenë sekuestruar që në vitin 2004 po me urdhër të Ministrisë së Financave. Urdhëri i publikuar dje në Fletoren Zyrtare përcakton se shtetasit Al Kadi duhet t’i kthehen të gjitha pasuritë e identifikuara si dhe të ardhurat e siguruara nga administrimi i tyre. “Urdhëroj revokimin e urdhrit nr. 2 të datës 3.12.2004 ‘Për sekuestrimin e aseteve të shtetasit arab YASIN AL-QADI i njohur dhe si: A) SHAYKH YASSIN ABDULLAH B) YASIN KAHDI C) YASSIN KADI Ç) KADI JASSIN D) YASSIN ABDULLAH KADI’ të ministrit të Financave, i ndryshuar me urdhrat nr. 27, datë 5.7.2006 dhe nr. 36, datë 27.11.2006", shkruhet në urdhrin që mban firmën e ministrit të Financave, Ridvan Bode.
PRONAT
Jasin Al-Kadi, i cili e la Shqipërinë vite më parë, u akuzua për lidhje me Abdul Latif Saleh, i cili mban shtetësinë jordaneze dhe atë shqiptare dhe dyshohet të ketë lidhje me Xhihadin Islamik Egjiptian, një grup terrorist ky, i lidhur me Al- Kaedën. Dyshimet e forta se Jasin Kadi kishte lidhje me terrorizmin bënë që të verifikoheshin dhe bllokoheshin të gjitha pronat e tij, vlera e të cilave shkon në miliona euro. Sipas përllogaritjeve të ekspertëve, pronat e sekuestruara të këtij shtetasi kapin një vlerë prej rreth 4 milionë euro. Sekuestrimi i tyre ka nisur që në vitin 2004. Vetëm pak ditë më parë “Gazeta Shqiptare” publikoi një artikull mbi gjendjen e këtyre pronave, të cilat qenë dhënë me qira nga shteti shqiptar përmes Agjencisë së Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara. Agjencia e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe të Konfiskuara kishte publikuar pronat e Yasin Kadi që jepen me qira, ku më shumë në sy për nga vlera dhe vendndodhja binin pasuritë që gjenden në dy kullat binjake tek Kompleksi “Twin Towers” në bulevardin “Dëshmorët e Kombit”. Bëhet fjalë për apartamente, vlera e të cilave shkon nga 14 milionë lekë, deri 17.9 milionë lekë.
REVOKIMI
Vendimi i djeshëm çliron nga sekuestro të gjitha fondet, llogaritë, asetet, pasuritë e paluajtshme, trojet, investimet në shoqëri tregtare dhe mjetet financiare në emër të shtetasit Yasin Al-Qadi të sekuestruara me urdhrat e mësipërm. Gjithashtu përcakton se për dorëzimin e pasurive të revokuara me këtë urdhër, të ngrihet një grup pune në përbërje të të cilit të ketë një përfaqësues nga Drejtoria e Përgjithshme e Parandalimit të Pastrimit të Parave. Ministri ngarkon Agjencinë e Administrimit të Pasurive të Sekuestruara dhe Konfiskuara për kthimin e pasurive të identifikuara dhe të marra në dorëzim, si dhe të ardhurave të siguruara nga administrimi i tyre, pasi t’i zbriten shpenzimet e lejuara.





