TIRANË, 22 shkurt 2013 – Kryefinancieri i Shqipërisë paralajmëron kompaninë nga Kalifornia për konfiskimin e sigurimit të ofertës së marrjes me koncesion të skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera. Ministria shqiptare e Financave njofton se kompania amerikane nga Kalifornia “Rapiscan Systems” ka fituar të drejtën e marrjes me koncesion të skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë, me ofertën qysh më 15.11.2012.
Por dikasteri është detyruar më 18 shkurt 2013 t’i kërkojë shoqërisë të paraqesë brenda 30 ditëve pranë Ministrisë së Financave, pra më 18 mars 2013, “kopjen e vënies në dijeni për Formularin e Kontratës, të nënshkruar dhe Sigurimin e Kontratës të përcaktuar në Kushtet e Veçanta të Kontratës, si parashikohet në dokumentet standarde”. Bode bën të qartë se “pagesa për shpenzimet e publikimeve, shpenzimet e konsulencës së specializuar, tarifën e ATRAKOS etj, do te kryhet para fillimit te negociatave”. Madje, Autoriteti kontraktues për kryerjen e procedurës ligjore kërcënon se, në rast se nuk kjo kompani nuk pajtohet me këto kërkesa, ose do të tërhiqet nga nënshkrimi i kontratës, do t’i konfiskohet sigurimi i ofertës, paralajmëron ministri Ridvan Bode.
Bie në sy fakti, që ministria e Financave thotë se ofertën kjo kompani e ka paraqitur më 15 nëntor 2012, por 13 ditë më parë, ka dalë një Vendim nr. 755, datë 2.11.2011 i Këshillit të Ministrave (Për përcaktimin e autoritetit kontraktues për dhënien me koncesion të shërbimit të skanimit të kontejnerëve dhe automjeteve të tjera në Republikën e Shqipërisë dhe miratimin e bonusit, në procedurën përzgjedhëse konkurruese, që i jepet shoqërisë). Në pikën dy të Vendimit flitet për miratimin e bonusit prej 8 për qind të pikëve për rezultatin teknik e financiar, në procedurën konkurruese përzgjedhëse, që i jepet shoqërisë “Rapiscan Systems.
Privatizimi
Kështu privatizohet kontrolli fizik i mallrave që do të hyjnë dhe do të dalin në doganat shqiptare. Është parashikuar që kompania amerikane “Rapiscan Systems” do të instalojë skanerë. Tarifa për këtë shërbim do të paguhet nga bizneset që importojnë apo eksportojnë mallra. Deri tani ky proces kryhej nga punonjësit e administratës tatimore, doganierët, të cilët pasi njiheshin me deklarimin përmes deklaratës tatimore me të dhënat dhe sasinë e mallit që ndodhjen në kontejnerin për zhdoganim, verifikonin fizikisht ngarkesën.
Ky projekt është parashikuar të zbatohet minimalisht në pesë pika doganore kufitare përfshirë dhe portin e Durrësit. Sipas vendimit, që parashikon edhe kushtet e tenderit për përzgjedhjen e firmës koncensionare, në portin e Durrësit do vendoset të paktën një skaner fiks. Ndërsa vendndodhja për skanerët e tjerë do të përcaktohet nga autoritetet doganore bazuar në ndryshimin e fluksit dhe analizës së riskut. Në vendimin e Ministrisë së Financave mësohet se në këto pika doganore do të skanohen 100 pë qind e kontejnerëve dhe automjeteve që transportojnë mallra. Ndërkohë në listën e mjeteve që do të skanohen mund të shtohen me kërkesës të autoritetit doganore edhe mjetet e transportit të udhëtarëve.
/th. m. Agjencia e lajmeve “Dyrrah”/