TIRANE, 7 prill 2013 – Ligji për përgjysmimin e taksës vjetore të automjeteve parashikohet të shkojë në qeverinë mbledhjen e radhës, ditën e mërkurë, ndërsa mund të hyjë në fuqi në fund të muajit maj, deklaroi ministri i Financave Ridvan Bode në rrjetin social "Facebook".
"Projektligji hyn në mbledhjen e qeverisë të ditës së mërkurë, më pas shumë shpejt në Komisionet e Kuvendit dhe më pas miratimi në seance plenare. Me dekretimin e ligjit nga ana e presidentit vjen dhe hapi i fundit që është botimi në fletore. Shpresoj normalisht të hyjë në fuqi në fundin e muajit maj ose në fillim të qershorit", komenton Bode.
Efekti në buxhet nga ndryshimet që parashikohen në ligjin "Për taksat kombëtare" për përgjysmimin e taksës vjetore të automjeteve llogaritet në vlerën e 2.5 miliardë lekëve, thekson ministri i Financave.
Ndryshimi i parë i propozuar konsiston në përgjysmimin e masës së taksës, ndryshimin e vlefshmërisë së saj dhe detyrimin për pagimin në kohë të saj. Përgjysmimi i taksës fikse për të dy llojet e karburanteve, respektivisht nga 25 lekë në 12.5 lekë për naftën dhe nga 20 lekë në 10 lekë për benzinën, bën të mundur përgjysmimin e taksës vjetore të mjeteve të përdorura që pronari i mjetit paguan.
Aktualisht taksa e automjeteve të përdorura është vjetore dhe vlen për vitin kalendarik në të cilin ajo paguhet. Ndryshimi i propozuar bën të mundur që vlefshmëria e taksës të bëhet 365 ditë, e njëjtë me afatin e siguracionit të mjetit TPL dhe me afatin e vlefshmërisë së Kontrollit Teknik Vjetor. Janë parashikuar gjithashtu penalitete për pronarët e mjeteve, të cilët nuk kryejnë pagesën e kësaj takse brenda 10 ditëve nga mbarimi i afatit të vlefshmërisë së parashikuar, në masën 5% të shumës së papaguar të çdo muaji, por jo më shumë se 25% për çdo vit.
Në dispozitat kalimtare është parashikuar që pas datës së hyrjes në fuqi të ketij ligji, të gjithë pronarët e mjeteve që nuk kanë paguar taksën vjetore të mjeteve të përdorura për vitin 2013, pavarësisht kur e kanë pasur datën e pagesës së takses, do të paguajnë sipas këtij ligji . Aplikimi i penalitetit për vonesë në pagesën e taksave, për të gjitha mjetet që u ka kaluar afati i vlefshmërisë së taksave, pavaresisht kur e kanë kryer pagesën e taksave, do të fillojë nga data 1 janar 2014.





