TIRANË- Ministri i Financave Ridvan Bode ka urdhëruar Drejtorinë e Thesarit të kryejë të gjitha veprimet për shpërndarjen e pagave, pensioneve si dhe të gjitha transfertave të tjera për pagesat e paaftësisë, ndihmës ekonomike etj. 

Meqenëse ligji për buxhetin e shtetit miratuar nga Parlamenti dhe dekretuar nga Presidenti nuk ka hyrë në fuqi, deri në hyrjen në fuqi të tij, për të siguruar një proces normal të zbatimit të buxhetit vjetor, ministri Bode udhëzoi që nëpunësi i parë i autorizuar të kryejë detajimin e buxhetit vjetor 2013 për të gjitha institucionet e qeverisjes së përgjithshme në sistemin elektronik të thesarit, si dhe me anë të shkresave për shpenzimet korrente. 

"Drejtoria e Përgjithshme e Thesarit nëpërmjet sistemit të thesarit të kryejë pagesat e shërbimit të borxhit, pagesat për shpenzime emergjente spitalore me funksion jetësor (blerje, oksigjen, gjak, ushqim, etj), pagat e punonjësve të qeverisjes së përgjithshme dhe sigurimet shëndetësore dhe shoqërore, transfertat në institucionet e sigurimeve shoqërore për pagesat e pensioneve, pagesat e paaftësisë, ndihmës ekonomike, papunësisë si pagesat për ushqim dhe medikamente për të gjitha njësitë e qeverisjes së përgjithshme që ofrojnë një shërbim të këtij lloji”, thuhet në udhëzimin e kreut të financave publike.