Bodybuilder-i nga Durrësi, Marjan Hoxhaj është shpallur kampion bote në kategoritë “Men`s Physique junior – 20 vjeç dhe “Men`s Physique junior overall”, në Kampionatin Evropian të “Bodybuilding & fitness”, të organizuar në Spanjë.
Në këtë kampionat kishte atletë nga shumë vende të botës, si Tuqia, Spanja, Rumania, Estonia, Hungaria, Çekia, Suedia etj.
Hoxhaj shprehet për “DurrësLajm” se “emocionet ishin shumë të mëdha, por arrita t`i menaxhoj më së miri pasi ekipi ka mentalitet fituesi dhe të disiplinuar”.
Më tej, në rrëfimin e tij, Hoxhaj tregon se një moment tjetër emocionues ishte kur himni kombëtar u luajt dy herë në skenën e kampionatit Evropian dhe të gjithë përfaqësuesit e shteteve pjesëmarrëse u ngritën në këmbë, pasi ai fitoi çmimet.
Krahas Hoxhajt, në kampionatin Evropian të “Bodybuilding & Fitness” i cili përmbyllet më 5 nëntor, marrin pjesë edhe 5 bodybuider-at e tjera nga Durrësi, si Bruno Nuho, Irdi Kashari, Ramazan Qela, Shkëlqim Sabrija dhe Edmond Methasani.