TIRANE, 7 prill 2013 – Partia Demokratike akuzoi sot kryetarin e PS se ka manipuluar opinionin me ngjarjen e 21 janarit me qëllimin e vetëm, marrjen e pushtetit. Deputeti Gert Bogdani theksoi se 21 janari ka qenë strategji politike e Ramës.
“Dje Edi Rama u përfshi në një monolog të gjatë kundër zëdhënëses se Partisë Demokratike, Laura Vorpsi, teksa socialistët e pranishëm ne Elbasan, prisnin të dëgjonin tjetër gjë. Nëse z.Rama konfirmoi dhe një herë se është i kompleksuar nga znj.Vorpsi, ai nuk i jep ende përgjigje pyetjes që bëjnë mbështetësit e tij, dhe pyetjes që kanë gjithë shqiptarët. Pse z.Rama nuk e pranon se 21 janari ka qenë për të një përpjekje e dënueshme për të marrë pushtetin me dhunë dhe sot ajo natyrisht nuk mund të jetë për të një çështje drejtësie apo morali, por strategji politike. Pse Rama nuk e pranon se ai ka manipuluar socialistët dhe opinionin publik, viktimat dhe familjarët e tyre, vetëm e vetëm për interesat e tij personale dhe për ambicien e tij për pushtet”,- tha Bogdani.
Sipas Bogdanit njerëzit e kanë kuptuar manipulimin që ka bërë Rama ndaj reagimet kane qenë të ashpra në rrjetet sociale.
“Z. Rama u ankua se po manipulohej me 21 janarin dhe dje u ankua dhe për Laurën. Por çfarë përgjegjësie ka Laura Vorpsi. I vetmi manipulator i kësaj ngjarje fatkeqe është Edi Rama dhe për ketë në një rast të pashembullt i përplasën shaminë në fytyrë. Megjithëkëtë ai nuk nxori mësim.
Bogdani kërkoi që Prokuroria të mos ndikohet dhe të hetojë e pavarur 21 Janarin, ku mbetën të vrarë 4 persona gjatë protestave të opozitës.
“Edi Rama i detyrohet qytetarëve një shpjegim për sjelljen e tij.
Partia Demokratike i kërkon drejtësisë të mos ndikohet nga përpjekjet për manipulim të z.Rama, dhe të ushtrojë në mënyrë të pavarur pushtetin e saj për të dhënë drejtësi mbi 21 janarin”.





