TIRANË – Partia Demokratike, përmes deputetit Gerti Bogdani, i bëri sërish thirrje opozitës për votimin e tre ligjeve, që janë kusht për marrjen e statusit të vendit kandidat. Bogdani tha se me bllokimin e statusit Rama i ka hequr shqiptarëve mundësinë që të përfitonin 30 mln euro investime të BE-së, duke kufizuar gjithashtu mundësinë e studentëve të studiojnë në shkollat prestigjioze botërore.
"I ka hequr mundësinë e së paku 30 milion euro investime të menjëhershme nga projektet e bashkëpunimit me Bashkimin Europian. Vetëm me urdhrin e tij, për të mos votuar 3 ligjet, të rinjtë e studentët shqiptar humbasin mundësinë që të financohen nga fondet e BE-së për të studiuar në universitetet më të mira të botës, sikurse përfitojnë bashkëmoshatarët e tyre në vendet që kanë marrë statusin", tha Bogdani.
Deputeti demokrat e përsëriti edhe njëherë apelin e mazhorancës drejt Ramës për votimin e 3 ligjeve të shumëpërfolura.
"Ne e ftojmë Rama për t'u bashkuar me ne dhe me gjithë shqiptarët në procesin e integrimit. Mosvotimi i 3 ligjeve, jo vetëm bllokon statusin, jo vetëm vonon integrimin, por dëmton interesat e çdo shqiptari", u shpreh Bogdani gjatë deklaratës për shtyp.





