Studentët e Fakultetit Ekonomik kanë vijuar edhe gjatë natës së të dielës ngujimin, ndërsa kanë deklaruar bojkot të mësimit edhe sot. 

Në një deklaratë për mediat, ata shprehen se kanë vendosur për bojkot deri në realizimin e kërkesave të parashtruara. Vendimin e kanë marrë pas një sondazhi të bërë mes studentëve.

Ata ftojnë qytetarët dhe pedagogët t'i bashkohen kauzës së tyre, duke iu kërkuar të jenë para fakulteteve nga ora 7 e mëngjesit të së hënës, 14 janar 2019.

Ndërkohë kryeministri Edi Rama në një reagim në Twitter për protestën, theksoi se nga dita e hënë në Sekretariatet e Universiteteve do të vendosen dy përfaqësues të Ministrisë së Financave e të Arsimit,  për të asistuar studentët që duan shpjegime apo duan të adresojnë probleme specifike, lidhur me zbatimin e VKM mbi tarifat e bursat brenda janarit.