Nga Andi Bushati

Zgjedhja e Lulzim Bashës, për të bojkotuar hapjen e punimeve të kuvendit, duke u nisur drejt Shkodrës, mund të kishte qenë një lëvizje e zgjuar propagande. Ai arriti në pak minuta t’i sfumonte fjalimet bajate të socialistëve, ai mori vëmendjen e mediave dhe zëri i tij u dëgjua live, përpara Taulant Ballës apo Fatmir Xhafës, që flisnin në të njëjtën kohë.

Nëse qëllimi i tij i vërtetë ka qenë ky, ai me siguri që i’a ka dalë.

Ai u bë sot lajm i parë.

Por, po të dëgjoje ato që Basha tha, pretendimi ishte shumë më i madh. Pasi floli për Agron Xhafën, 6 vrasjet dhe 2 rrëmbimet në Shkodër, deputetët e lidhur me bandën e Shullazit, kreu i PD arriti në përfundimin: “vendi ynë nuk mund të jetë në një fole krimi siç është sot parlamenti shqiptar”.

Por, megjithëse ky konkluzion, që u përforcua me dhjetra shembuj të tjerë, mëtonte të shpjegonte se përse opozita nuk ishte në parlament, por në sallën e turizmit të vjetër të qytetit verior, ai mund të shërbejë si guri themelit të një pyetje më të madhe.

Sepse të gjithë argumentet që kryedemokrati dha për të mos qenë në sallën e kuvendit ditën e parë, janë njësoj të vlefshme për të argumentuar edhe pse opozita nuk duhet të kthehet më kurrë aty.

Të thuash se vendi i opozitës nuk mund të jetë brenda një çerdheje krimi, nuk ka vlerë vetëm për një ditë: ajo ose është fillesa e një bojkoti më të madh, ose është thjeshtë frasa propogandistike e radhës.

Me mënyrën se si e ka nisur këtë sesion të ri parlamentar, Basha e ka vënë veten para dilemës së përhershme, asaj të njeriut që ngre gjithnjë steka të larta, megjithëse e di që s’do t’i kapërcejë dot ato.

Ky përfytyrim kolektiv, ka bërë që shpesh ditët e fundit, kundërshtarët e vendosur t’a përkthejnë radikalizmin e tij me ftesën për një pazar të ri, të ngjashëm me atë të 18 majit.
Kjo i ka bërë edhe kritikët brenda llojit që mos i marrin seriozisht ultimatumet që ai ka lëshuar ndaj oligarkëve të Ramës.

Kjo ka bërë që në rrjetet sociale të gëlojnë memet që e paraqesin me jastëk në dorë.

Edhe për këto arsye, Lulzim Basha është i dënuar të shkojë drejt hapit final. Argumentat që dha sot nuk mund t’i kthejë më pas. Po t’i besosh ato, ai vërtet nuk ka më vend në atë parlament.
Ose në të kundërt, kritikët dhe kundërshtarët kanë të drejtë: ambicia e tij nuk shkon më shumë sesa një pakt humbës me Ramën, apo se vjedhja e audiencës së Taulantit dhe Fatmirit.

Lapsi.al