24 maj 2015 – Disa vite më parë, boksi në Durrës pësoi një goditje të rëndë pas ndarjes nga jeta të trajnerit të mirënjohur Neki Abazaj. Por sot, falë punës serioze, ky sport është kthyer në model.
Trajneri Jani Nano tregon vështirësitë që iu desh të kalonte ekipi i tij për të mbërritur deri këtu. “Për të mbërritur këtu, Teuta ka kaluar në shumë vështirësi.Pas ndarjes nga jeta tragjikisht të trajnerit Neki Abazaj, shumë nga sportistët mbetën të shokuar dhe nuk patën më kurajën ta vazhdonin. Na u desh që t’ia fillonim nga e para në ndërtimin e ekipeve. Gjetëm forcën për ta rifilluar dhe për të plotësuar ato objektiva që ne kishim që në kohën e profesor Abazajt. Që në 2009, qëllimi ynë ishte masivizimi i boksit te moshat dhe përmes futjes së metodave të reja stërvitore, shumë shpejt filluam të korrnim suksese. Teuta ka mbi 30 boksierë që marrin pjesë në aktivitete zyrtare duke synuar gjithmonë vendet e para.
Ndonëse kushtet nuk i kemi siç duhet, me përpjekjet tona dhe të klubit shumësportësh Teuta, jemi munduar ta mbajmë lart interesin për boksin. Tani krenohemi me një akademi dhe sportistë dinjitozë. Mjafton të përmend emra si: Klevis Vrapi, Ardit Murja, Ardit Boriçi, Arbjon Lazimi, Amarildo Nasufi e shumë të tjerë, për të treguar se e ardhmja e boksit në Durrës, por jo vetëm, është e sigurt”, theksoi trajneri Nano.